Shtetet afrikane, në ditën e tretë të seancës së 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kërkuan ndihmë financiare që do t’iu ndihmojë ekonomive që ta tejkalojnë pandeminë e virusit korona. Vendet afrikane vlerësojnë se iu duhen 100 miliardë dollarë ndihmë në vit gjatë tre viteve të ardhshme.
Shteteve iu duhet edhe shlyerje e borxheve që të grumbullojnë më shumë mjete për luftë kundër virusit dhe sëmundje të tjera vdekjeprurëse si malaria dhe HIV.
Afrika deri më tani, me 1,4 milionë të infektuar me virus korona, e shmangi parashikimin më të keq.
Shefat e shteteve në Afrikë bënë thirrje për ndihmë më të madhe për rajonin, por u pajtuan se vetë shtetet duhet të bëjnë më shumë për tejkalimin e krizës së shkaktuar nga pandemia.
“Duhet qartë dhe thjeshtë të shlyhet borxhi”, tha presidenti i Nigerisë, Muhamadu Isufu.
Presidenti i Bregut të Fildishtë, një nga ekonomitë që po rritej më së shpejti në botë para pandemisë bëri thirrje për vazhdimin e moratoriumit të pagesës së borxheve.
“Iu bëj thirrje të gjithë partnerëve afrikanë që të ndërmarrin masa më të guximshme”, tha Alasan Uatara, duke theksuar se vendi ka investuar pesë për qind nga bruto prodhimi i tij vendor në luftën kundër virusit korona dhe sanimin e pasojave ekonomike.
Në një takim të veçantë, përfaqësuesit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) bënë të ditur se vetëm 51 për qind e institucioneve shëndetësore në Afrikën subsahariane kanë qasje në ujë.
