Ray Liotta, aktori i njohur ndër të tjera për rolin e tij protagonist në filmin “Goodfellas”, ka vdekur mbrëmjen e së mërkurës në moshën 67-vjeçare.
Sipas raportimeve të fundit, aktori ka ndërruar jetë teksa ishte në gjumë.
Liotta ndodhej aktualisht në Republikën Dominikane ku po xhironte filmin “Dangerous Waters”, raporton TMZ.
Liotta mori famë botërore me filmin e vitit 1990 “Goodfellas” me regji të Martin Scorsese, një ngjarje e bazuar mbi historinë e vërtetë të mafiozit njujorkez Henry Hill, ku luajti në krah të Robert De Niro dhe Joe Pesci.
Aktori me origjinë italiano-skoceze ishte bashkë me të fejuarën në Republikën Dominikane.
Sipas autoriteteve, vdekja e tij ka ardhur për shkaqe natyrale.
