Diplomati austriak, ish zëvendës-emisari i OKB-së në bisedimet për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Albert Rohan, ka vdekur sot në moshën 83 vjeçare, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme e Austrisë.
Ai ka qenë pjesë e ekipit të misionit të Marti Ahtisarit në bisedimet që çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008.
Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Rohan.
“Kemi humbur sot Albert Rohanin, një ndër gjigantët e diplomacisë europiane dhe një ndër paqebërësit më të mirë për Ballkanin. Ai do të kujtohet për aftësitë e tij të dallueshme diplomatike dhe intelektuale nga të cilat unë kam mësuar shumë përgjatë viteve rreth artit të negocimit”, ka thënë Hoxhaj në Twitter.
Diplomati Alberto Rohan, udhëhoqi negociatat e Ahtisarit për Kosovën, ai së bashku me të dërguarin e OKB-së Marti Ahtisaari, mori pjesë në negociatat për statusin e ardhshëm të Kosovës. Rohan, si një diplomat i lartë, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe funksioneve të shumta ndërkombëtare, mori pjesë në hartimin e politikës së jashtme të Austrisë.
Rohan iu bashkua shërbimit diplomatik të Austrisë në vitin 1963 dhe shërbeu kryesisht në ambasadat e Austrisë në Londër dhe Beograd. Në vitin 1977, ai u emërua Shefi i Shtabit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Kurt Waldheim në Nju Jork. Ai ishte atëherë ambasador në Buenos Aires dhe vende të tjera, dhe më 1996 u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme. /21Media
