Vazhdon protesta në Tiranë! Qytetarët kërkojnë dorëheqje dhe mbrojtje të pasurive kombëtare

TË FUNDIT

Mbrëmë në Tiranë u mbajt protesta e dymbëdhjetë me radhë kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës, projekt i lidhur me Xhared Kushner, dhëndrin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Tubimi u zhvillua në sheshin “Skënderbej”, ku qytetarët përsëritën kërkesat e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e Sali Berishës nga drejtimi i opozitës, si dhe hetimin e pasurive të politikanëve dhe mbrojtjen e pasurive kombëtare.

Pas grumbullimit në shesh, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe u rigrupuan përpara Kryeministrisë. Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje dhe u panë pankarta me mesazhe për mbrojtjen e natyrës, të rinjve dhe kundër korrupsionit. Përfaqësues të grupit koordinues të protestës deklaruan se klasa politike prej vitesh ka tentuar të krijojë perceptimin e një shoqërie të korruptuar dhe se qytetarët janë të lodhur nga kjo situatë.

Ata gjithashtu e cilësuan tubimin e paralajmëruar të Partisë Socialiste si provokim dhe bënë thirrje për qetësi. Në fjalimet e tyre, protestuesit folën për emigrimin masiv, gjendjen e punëtorëve dhe nevojën për drejtësi më të fortë dhe llogaridhënie. Aktivistët mjedisorë theksuan rëndësinë e lagunës së Nartës si një zonë me vlerë të lartë ekologjike. Protesta u mbyll me marshim në rrugët kryesore të Tiranës.