Vazhdon përplasja pushtet-opozitë për masat, DPMNE i quan fashiste, LSDM Mickoskin e quan “piroman të shëndetësisë”

TË FUNDIT

Masat e reja janë fashizëm klasik, akuzojnë nga VMRO-DPMNE. Askush nuk guxon askujt të ia kufizojë të drejtën e lëvizjes, vetëm se kështu i është kujtuar Zaevit dhe Filipçes, thotë zëdhënësi i partisë opozitare, Dimçe Arsovski.

“Krahas së gjithave, ne sërish apelojmë që qytetarët të vaksinohen që të mbrohen nga virusi korona por nuk mundet, me asnjë kusht, Zoran Zaev dhe Venko Filipçe që t’i diskriminojnë dhe në mënyrë fashiste t’i trajtojnë ata që nuk janë vaksinuar. Masat e reja të qeverisë janë çmenduri klasike. Vetëm të vaksinuarit mund të jetojnë normalisht, e ata që e kanë kaluar virusin korona, kanë mjaftueshëm antitrupa, ose ata nuk e kanë marrë vaksinën, nuk mund të jetojnë normalisht si qytetarët e vaksinuar”, deklaroi Dimçe Arsovski – VMRO-DPMNE.

Kundërpërgjigjet Lidhja Socialdemokrate. Kreun e VMRO-DPMNE-së e quajnë zjarrvënës të shëndetësisë, që sërish është në anën e virusit korona, kundër vaksinimit dhe masave, në dëm të shëndetit të qytetarëve.

“Masat e reja dhe vaksinimi masiv janë për mbrojtje të shëndetit të qytetarëve dhe shëndetit publik që kur varianti i ri i virusit korona filloi të përhapet. Masat që tashmë zbatohen në shumë shtete, nuk i ndajnë njerëzit por mbrojnë shëndetit e tyre dhe atë kolektiv. Asnjë e drejtë personale nuk është dhe nuk mund të jetë mbi të drejtën për mbrojtje të shëndetit të qytetarëve. Në vend se të thërrasë për respektim të plotë të masave ekzistuese për mbrojtje dhe vaksinim masiv, piromani i shëndetësisë Hristijan Mickoski sërish është në anën e virusit korona”, thonë nga LSDM.

Përplasja mes partisë në pushtet LSDM-së dhe asaj opozitare, VMRO-DPMNE kanë nisur që pas vendimit të qeverisë për shtrëngim të masave për mbrojtje nga COVID-19. Mes tyre edhe posedimi i obliguar i certifikatës për imunizim, së paku doza e parë, dhe kontrollim i obliguar i certifikatave për vaksinim në hyrje të çdo objekti, përfshirë edhe objektet hotelierike, ku ka më shumë se 30 persona për çfarëdo lloj ngjarjeje.