Në SHBA vazhdon numërimi i votave në disa shtete kryesore, ndërsa sipas Si-En-En, fokusi është në Perendimin e Mesëm (Midwest) – Pensilvani, Xhorxhi, Miçigan, Karolina e Veriut dhe Viskonsin.
Sipas Foks Njuz, Donald Tramp ka një avantazh në këto vende, por bazuar në të dhëna akoma jo të plota.
Televizioni thekson se në Pensilvani, e cila ka 20 vota elektorale, bazuar në 64 për qind të votave të numëruara, presidenti aktual Tramp ka 55,75 për qind të votave (2.965.636 vota) dhe demokrati Xho Bajden ka 700.000 vota më pak (43,06 për qind).
Në Karolinën e Veriut (15 vota elektorale) Tramp është i ndarë me dhjetëra mijëra vota nga fitorja përfundimtare. Bazuar në 94 për qind të votave të numëruara, Tramp fitoi 50.09 për qind (2.732.104 vota) dhe Bajden 48.69 për qind (2.655.392 vota).
Lufta është afër në Xhorxhi (16 vota elektorale), ku Tramp ka 102.000 vota më shumë se Bajden, njoftoi Foks Njuz. Me 94 për qind të votave të numëruara, Tramp fitoi 50,48 për qind (2.380.946 vota) dhe Bajden 48,30 për qind (2.278.123 vota).
Në Miçigan (16 vota elektorale) raporti është gjithashtu në favor të Trampit, por situata është e ngushtë, pasi me një numërim të votave prej 78 për qind, dallimi është 220.000 në favor të Trampit. I nominuari republikan fitoi 52,06 për qind (2.183.595 vota) dhe kundërshtari i tij, demokrat Bajden, 46,33 për qind (1.943.254 vota).
Gjithashtu e pasigurt është dhe në Viskonsin (10 vota elektorale), pavarësisht avantazhit të Trampit i cili ka fituar 51,05 për qind (1.539.115 vota) dhe Bajden 47,44 për qind (1.430.083 vota).
Fituesi i zgjedhjeve amerikane do të jetë kandidati i cili do të fitojë të paktën 270 vota elektorale, ndërsa Bajden aktualisht kryeson me rezultat prej 238 kundrejt Trampit me 213.
