Ka vazhduar mbledhja e Këshillit të Sigurimit e cila u ndërpre nga ana e kryesuesit të mbledhjes pas kërkesës së përfaqësuesit të Rusisë që të hiqet flamurin nga prapavija e ministres së Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Por, pavarësisht kërkesës së Rusisë, paraqitja e Gërvallës po vazhdon të jetë me flamurin e Kosovës.
Pas vazhdimit të seancës, përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm Zahir Tanin, gjatë fjalimit të tij para Këshillit të Sigurimi, ka thënë se “dëshira e fortë për ndryshim u shpreh në zgjedhjet e fundit në Kosovë”, pasi sipas tij, Kosova përfundoi suksesshëm zgjedhjet e hershme legjislative që u dalluan me pjesëmarrje të lartë të votuesve dhe fitore nga ana e partisë politike të Vetëvendosjes e më shumë se gjysmës së të gjitha votave të hedhura.
“Pritjet e shprehura ishin për ndryshim të reagimit të qeverisë ndaj shpresave dhe nevojave reale të votuesve të saj, për barazi më të madhe të mundësive, llogaridhënie, dhe sundim të ligjit. Kësisoj, pritjet anembanë Kosovës do të mbesin të larta siç ishin edhe rezultatet”, ka thënë tutje Tanin.
