Mos funksionimi i Odës së Stomatologëve në tre muajt e fundit ka bërë që qindra dentistë të sapo diplomuar dhe atyre që iu kanë skaduar licencat të mbeten në labirintet burokratike pa marrë licenca.
Këto janë ankesat e vetë stomatologëve, të cilët thonë se që nga marrja e kompetencave nga Ministria e Shëndetësisë deri në formimin e organeve të reja kanë stagnuar organizimet e simpoziumeve, në të cilat duhen pikët e domosdoshme për vazhdimin e licencave aktive. Të shtunën në simpoziumin e organizuar nga Shoqata e specialistëve të stomatologjisë preventive dhe të fëmijëve 68 stomatolog të paraqitur me parapagesë mbetën jashtë duke iu mohuar marrja e bar kodeve.
“Ai simpozium na miratuan shumë vonë nga komisioni i ri i emëruar në kuadër të Ministrisë, sepse ju e dini për mospajtimet ndërmjet udhëheqësisë së vjetër të Odës dhe të Ministrisë. Komisioni i ri udhëhiqet sipas rregullores së miratuar nga anëtarësia e vjetër e Odës, përkatësisht nga viti 2017 kur e kishim të kufizuar numrin në 300 pjesëmarrës dhe në këtë mënyrë na detyruan ta kufizojmë numrin edhe pse kishte 368 parapagesa, ne shumë vonë të premten pasdite morën përgjigje nga Komisioni që nuk guxojnë të pranohen më shumë se 300 persona sepse udhëhiqen sipas rregullores së vjetër”, tha Aleksandar Dimkov, shoqata e specialististëve të stomatologjisë preventive dhe të fëmijëve.
Nga Ministria e Shëndetësisë për TV21 thonë se ngjarja është organizuar në përputhje me praktikën dhe kriteret e vendosura të Bordit të Akreditimit, sipas të cilit numri i pjesëmarrësve është i kufizuar në 300, me qëllim të sigurimit të mësimdhënies interaktive me cilësi dhe kushteve për ndjekjen e përmbajtjes. Sipas këtij resorit disa ngjarje të tjera të tilla janë planifikuar të mbahen deri në fund të vitit me bindjen se do të ketë vazhdimësi në lëshimin dhe rinovimin e licencave.
“Asambleja e Odës së Stomatologjisë, përkatësisht delegatët ndërmarrin procedurën e mëtejshme dhe sigurojnë vazhdimësinë në funksionimin Odës. Përndryshe, komisionet brenda Ministrisë së Shëndetësisë punojnë vazhdimisht për lëshimin dhe rinovimin e qetë të licencave dhe mundësimin e zhvillimit të vazhdueshëm profesional”, deklaroi Ministria e Shëndetësisë.
Në fillim të gushtit, Ministri Aliu ia mori të gjitha kompetencat Odës së Stomatologëve me arsyetimin që kontrollet në dokumentet e tyre kanë treguar lëshime serioze pasi kontratat përfunduan në mënyrë retroaktive në kundërshtim me ligjin, të Shoqatave të afërta me ish kreun e Odës Marjan Denkovski.
Nga kjo e hënë kompetencat e Odës Stomatologjike janë te ushtruesi i detyrës kryetar – Bllagoja Dashtevski dhe pritet që deri të fund të vitit të organizohen së paku edhe dy simpoziume. Ndryshe, trajnimet e dentistëve, seminaret e simpoziumet janë të detyruara për arritjen e 20 pikëve në vazhdim të licencave. Maqedonia e Veriut ka 2,580 dentistë.
