Rusia bombardoi sërish sot zonën rreth termocentralit bërthamor Zaporozhje, një ditë pasi Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) u kërkoi palëve ndërluftuese të krijojnë një zonë të sigurt atje, deklaroi guvernatori rajonal Valentin Rezniçenko.
Qyteti Nikopol, i cili ndodhet në bregun tjetër të Dnjepar-it përballë termocentralit, u godit nga raketa dhe artileri e rëndë.
Kreu i ANEB, Rafael Grosi, paralajmëroi dje Këshillin e Sigurimit të KB-së se “diçka shumë, shumë katastrofike” mund të ndodhë në Zaporozhje.
“Në termocentral shpërthejnë zjarre, fiket energjia dhe ndodhin gjëra të tjera që na bëjnë të përgatisim popullsinë vendase për pasojat e një kërcënimi bërthamor”, tha Rezniçenko.
Rreziku i mundshëm ka bërë që ANEB t’i kërkojë Rusisë dhe Ukrainës të krijojnë një “zonë të sigurisë bërthamore” rreth termocentralit.
As autoritetet e Moskës dhe të Kievit nuk e komentuan menjëherë idenë e një zone të sigurt, duke thënë se atyre u duhen më shumë detaje.
