Vazhdon gjykimi i Ivanoviqit dhe katër serbëve tjerë

TË FUNDIT

(E plotësuar) Gjatë seancës së sotme, para trupit gjykues dëshmoi Gani Xhaka, i cili tha se natën e 3 shkurtit, nga ora 21:00 e deri në ora 3:00 të mëngjesit, është zhvilluar një luftë e vërtetë në banesën ku ka qenë i strehuar.

“Kanë ardhur disa persona serbë dhe na kanë ofruar të dalim të gjallë, përndryshe do të na vrasin të gjithëve. Nuk kemi pranuar të dalim dhe e kemi mbyllur derën. Pas pak minutash është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm me ç’rast personat janë futur me forcë brenda dhe kanë filluar të shtënat me armë të ndryshme, duke përfshirë edhe granata dore. Natyrisht se edhe ne jemi përgjigjur me armë me qëllim që t’i zmbrapsim. Epilogu i gjithë kësaj është se shoqja ime ka vdekur, si dhe djali i Nexhmedin Ajetit, Nderim Ajeti, ndërsa shumë anëtarë të tjerë kanë mbetur pa gjymtyrë”, tha Xhaka.

Seanca kundër Oliver Ivanoviq dhe katër serbëve tjerë, të dyshuar për vepra të rënda penale ndaj popullatës shqiptare të kryera mes datës 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000 në veri të Mitrovicës do të vazhdojë sot, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në veri të këtij qyteti. Ndërsa dëshmitar do të paraqitet Gani Xhaka.

Në gjykimin e djeshëm kundër Ivanoviqit, Dragolub Delibashiqit, Ilija dhe Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandar Llazoviqit, para trupit gjykues të EULEX-it dëshmoi Shaip Canhasi. Ai rrëfeu se natën në fjalë ka qenë në banesën e tij bashkë me bashkëshorten dhe një polic të UNMIK-ut nga Jordania, kur 6 deri në 8 persona kanë hyrë me dhunë dhe kanë vrarë gruan duke shkrepur dy plumba mbi të. Sipas tij, personat që kanë thyer derën dhe kanë kryer vrasjen, nuk kanë qenë të uniformuar, por civilë, dhe nuk u janë parë armët. /21MEDIA