Një numër i madh i shteteve sot e kanë vazhduar evakuimin e qytetarëve të saj dhe afganëve të rrezikuar nga Kabuli me aeroplanë.
Ambienti në aeroportin e Kabulit ende është kaotik, pasi mijëra afgan duan ta lëshojnë vendin duke druajtur nga pushteti i ri i talebanëve. Ministri gjerman për Punë të Jashtme, Hajko Mas ka deklaruar sot se fokusi i Berlinit është në evakuimin e sa më shumë njerëzve nga Kabuli në shumë rrethana të vështira, duke shtuar se Gjermania bashkëpunon ngushtë me partnerët ndërkombëtar.
Shefja e diplomacisë suedeze An Linde ka thënë se ministria e saj është e vetëdijshme për “problemet e mëdha gjatë ardhjes në aeroport dhe kalimit përmes dyerve”.
“Të gjitha vendet përballen me këtë problem dhe ne punojmë në zgjidhjet e mundshme në aeroport në bashkëpunim me shtetet tjera”, ka thënë Linde.
Ministrja e Mbrojtjes e Spanjës Margarita Robles ka deklaruar se aeroplanët e vendit të saj e lëshojnë Kabulin pjesërisht të zbrazët, pasi kaosi në aeroport e bën të pamundur evakuimin e afganëve.
Presidenti i Francës, Emanuel Makron ka dërguar porosi për mirëseardhje të afganëve të transferuar në atë vend, pasi nga Kabuli në Paris arriti grupi i tretë me më shumë se 200 njerëz.
Në bisedën e djeshme telefonike me presidentin amerikan Xho Bajden, Makroni ka insistuar në “nevojën absolute të koordinimit konkret dhe të shpejtë mes aleatëve” më qëllim të sigurohet vazhdimi i evakuimit nga Kabuli.
Kryeministri polak Mateush Moraviecki ka thënë se vendi i tij ka ndërmarrë përgjegjësi si anëtare e NATO-s të evakuojë rreth 300 afgan që kanë bashkëpunuar me Aleancën vitet e kaluara.
SHBA njoftuan se dje kanë evakuuar rreth 3.000 njerëz nga Kabuli, shtetas amerikan dhe afgan të rrezikuar, ndërsa rreth 14.000 në fund të muajit të kaluar.
