Deputetët e shumicës dhe opozitës së re vazhduan debatin kuvendor për programin dhe përbërjen e Qeverisë së re. Deputetët e VMRO-DPMNE-së prezantuan angazhimet kryesore si eurointegrimi i vendit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, zhvillimi i ekonomisë, zhvillim i barabartë rajonal, përafrimi i pushtetit tek qytetarët, ulje e tatimeve, rritja e pensioneve dhe pagave. Nga VMRO-DPMNE paralajmëruan edhe vazhdimin e ndërtimeve të korridoreve 8 dhe 10d. Për LSDM-në, të flasë VMRO-DPMNE-ja për këtë është dyfytyrësi.
“Më vjen mirë që në fjalimin tuaj dëgjova për vazhdimin e ndërtimit të korridoreve 8 dhe 10d sepse këto janë dy arteriet kyçe të shtetit, të cilat na lidhin me rajonin por edhe më gjerë me europën. Por dyfytëria më e madhe prej juve të dëgjoj për autostradën Kërçovë-Ohër. Kjo autostradë dhe mënyra si filloi ndërtimi paraqet turp për ndërtimtarinë. Kjo do të lexohet në libra se si nuk duhet të ndërtohet infrastrukturë”, tha Mitko Trajçulevski – deputet i LSDM-së.
Nuk vonoi përgjigja e deputetit të VMRO-DPMNE-së Ljupço Prenxhov.
“Të flasë për korridorin 10d, deputet partia e të cilit zgjodhi firmë për veshje të brendshme për prodhimin e brekëve, të mbikqyrë projekt 1,5 miliard euro në ndërtimtari, është pak turp dhe e pahijshme”, tha Ljupço Prenxhov – deputet i VMRO-DPMNE-së.
Vazhdim të punimeve të korridoreve 8 dhe 10d por paralajmëruan edhe deputetët e koalicionit VLEN. Adnan Azizi përmendi të gjitha projektet infrastrukturore, përfshirë dhe rrugën Shkup-Bllacë dhe rrugën Tetovë-Prizren
“Edhe ato rrugët legjendare që i nisët ju, 2km Shkup-Bllacë që 10 vite nuk arritët t’i përfundoni, do t’i bëjmë ne. Edhe autostrada legjendare, Kërçovë-Strugë-Ohër, që lindin fëmijët, përfundojnë shkollimin, martohen, dhe akoma nuk ka përfunduar, edhe këtë do ta përfundojmë ne”, deklaroi Adnan Azizi – deputet i VLEN.
Megjithatë ashtu sikur dje, nga Fronti Europian kontestojnë legjitimtietin e kësaj përbërjeje qeveritare. Koalicionin VLEN i quajnë hyzmeqarë të mandatarit Mickoski.
“Koha do ta dëshmojë nëse nuk e kupton akoma se hyzmeqar më të mirë nuk mund të gjejnë. Nuk mund të gjejnë se, edhe kundërshtar politik po ta kesh, duhet t’ia respektosh dinjitetin dhe krenarinë, sepse këto janë virtytet e një populli. Pajtohem të flasim për debat, për zhvillim ekonomik, për zhvillim infrastrukturor e kështu me radhë se ajo është përgjegjësi e mandatarit dhe atyre që do të jenë pjesë e Qeverisë edhe pse nuk ka legjitimitet etnik, sado që të jetë legale”, potencoi Blerim Bexheti – deputet i Frontit Europian.
Gjatë debatit u diskutua përsëri çështja e marrëveshjes së Prespës dhe respektimi i emrit kushtetues të vendit, si dhe për punën e Qeverisë së deritanishme të udhëhequr nga LSDM dhe BDI.
