Vazhdojnë protestat në Çashkë! Prindërit takuan ministrin Shaqiri, nuk u arrit marrëveshje

TË FUNDIT

Në shkollën fillore “Todor Janev” në Çashkë kanë vazhduar edhe sot protestat e disa prindërve, të cilët nuk duan që në këtë shkollë të ketë paralele shqipe. Situata ishte e njëjtë, ata përsëri nuk kanë lejuar të hyjnë në shkollë drejtoresha dhe mësimdhënësit. Një grup prindërish të nxënësve të kësaj shkolle, erdhën për t’u takuar me ministrin e arsimit Jeton Shaqiri me qëllim që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët. Megjithatë, ky takim përfundoi pa sukses.

“Nuk kemi arritur marrëveshje sepse prindërit të cilët ishin sot pa asnjë arsye kundërshtojnë për hapjen e paraleles për mësim në gjuhën shqipe. Kanë diskutuar lidhur me drejtoreshën, ingerencat e drejtoreshës por unë jam i qëndrimit se ato fëmijë nuk i pengon asnjëri. Mund të arrijmë marrëveshje të diskutojmë për gjithçka, për kushte dhe mundësi tjera por paralelja duhet të vazhdojë në shkollën “Todor Janev””, tha Jeton Shaqiri – Ministër i Arsimit.

Sipas ministrit, me hapjen e paraleles shqipe nuk është shkelur statuti i shkollës. Shton se statuti duhet të përshtatet me ligjet që i parasheh Kushtetuta e shtetit.

“Nuk është shkelur për arsye se janë respektuar të gjitha procedurat, ju e dini që mund ta diskutoni ju dhe gjithë të tjerët ku ka të bëjë me Kushtetutë dhe me statut. Statutet e institucioneve arsimore duhet të përshtatet me atë që e kërkon Kushtetuta. Në rastin konkret Kushtetuta i garanton gjithësecilit mësim në gjuhën amtare. Statuti i shkollës ka kohë që të përshtatet dhe përputhet me atë që e thotë Kushtetuta”, pohoi Jeton Shaqiri – Ministër i Arsimit.

Përndryshe prindërit ngulin këmbë se gjatë hapjes së paraleles shqipe është shkelur statuti shkollor dhe akuzojnë drejtoreshën Elena Nikollovska se nuk vepron sipas ligjeve. Ata nuk deshën zyrtarisht të prononcohen para kamerave, por na njoftuan se do të vazhdojnë edhe më tej me protestat.