Në dekretin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut me të cilin parashihet ndarje e vauçerëve, nuk janë përfshirë studentët e universiteteve private por edhe ato publike-private siç është Universiteti i Evropës Juglindore.
Për këtë, deri te Parlamenti Studentor ka pasur ankesa të shumta dhe për të njëjtat kryetari i Parlamentit, Agron Demiri ka njoftuar Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Ai thotë se si parlament nuk mund të ngrit padi, por fton studentët që këtë ta bëjnë në mënyrë individuale.
“Ne si parlament studentor dhe asociacion studentor e kemi ngritur këtë çështje dhe presim përgjigje nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës në rrugë zyrtare. Ka pasur reagime nga jashtë, se pse të diskriminohemi ne si student të universiteteve private por edhe në private-publik. Prandaj ju them të gjithëve studentëve që nëse ndjehen të anashkaluar lirisht le ta ngrisin padinë,” tha Agron Demiri, Parlamenti Studentor UEJL.
Ankesa ka pasur edhe te udhëheqësia e universitetit. Rektori Abdulmenaf Bexheti vlerëson se çdo padi individuale që do të bëhet në Gjykatën Kushtetuese do të jetë dështim për institucionet e vendit. Thotë se për të përmirësuar gabimin nuk duhet më shumë se 3 për qind se kostoja e përgjithshme e ndarë për vauçerët.
“Çdo iniciativë individuale që do të bëhet këtu do ta përfitojë të drejtën dhe këtu do të jetë, nëse mund ta shpreh një dështim i institucioneve kur një maturant ta paditë shtetin në gjykatën kushtetuese do ta padisë shtetin. Ankikimet kanë qenë shumë të shprehura te ne, deri në fazën e frustracionit. Unë në një farë mënyre jam munduar t’i zbus ata, sepse shpresoj se shteti do ta ndryshojë dekretin. Sepse kjo nuk është ndonjë kosto. Është diku 3 – 5 përqind,” tha Abdulmenaf Bexheti, rektor në UEJL.
E pyetëm kryeministrin Oliver Spasovki dhe ministrin Arbër Ademi se a i kanë shqyrtuar ankesat.
“Kemi biseduar në Qeveri. Këtë ia kemi dhënë që të analizojë Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe sipas asaj analize do të dalë ministri për Arsim në Qeveri dhe do ta bisedojmë dhe cilat janë mundësitë për ndryshim të këtij dekreti,” tha Oliver Spasovski, kryeministër teknik.
“Unë kam pasur komunikim me kryetarin e parlamentit studentor të Universitetit të Evropës Juglindore, me çka më ka kontaktuar, kemi komunikuar dhe se me të drejtë kanë ngritur çështje të atilla por gjithashtu duhet të kemi parasysh edhe për mundësitë financiare për të siguruar mjete,” tha Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Përndryshe, sipas dekretit me fuqi ligjore që u miratua nga Qeveria, vauçerë prej 9 mijë denarë mund të marrin studentët që vijojnë procesin arsimor në universitete që janë themeluar nga shteti. Vauçerë, por në vlerë prej 3 mijë denarë janë paraparë edhe për nxënësit e shkollave të mesme, por edhe aty përjashtohen nxënësit që mësojnë në kolegje private apo edhe në Medresenë “Isa Beu”.