Vasev dhe Nuhi dalin nga paraburgimi! Pranohen garanci prej mbi gjysmë milion eurosh me hipotekë prone

TË FUNDIT

Ish-drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Nikolla Vasev, dhe drejtori organizativ Nehad Nuhi janë liruar nga paraburgimi, pasi Këshilli Penal pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup e pranoi propozimin e mbrojtjes së tyre, të mbështetur me mendim pozitiv nga Prokuroria Publike.

Gjykata mori vendim me të cilin Vasevit i pranohet garanci në vlerë prej pothuajse 184 mijë eurosh, ndërsa Nuhit garanci prej mbi 348 mijë eurosh. Në të dy rastet bëhet fjalë për hipotekë mbi pasuri të paluajtshme në dobi të shtetit.

Përveç garancisë, të dy të akuzuarve u janë caktuar edhe masa paraprake. Ata nuk do të lejohen të largohen nga territori i qytetit të Shkupit, do të kenë detyrim që një herë në muaj të paraqiten në gjykatë, ndërsa përkohësisht u janë marrë dokumentet e udhëtimit.

Nga Gjykata Penale informojnë se gjatë marrjes së vendimit janë marrë parasysh mendimi pozitiv i Prokurorisë, si dhe fakti se paraburgimi sipas ligjit mund të zgjaste më së voni deri më 18 korrik të këtij viti. Meqenëse prokuroria ka hequr dorë nga e drejta për ankesë, ndërsa garancia tashmë është regjistruar në Kadastër, vendimet janë bërë të plotfuqishme dhe të akuzuarit janë liruar.

Vasev dhe Nuhi janë të akuzuar në lëndën “Onkologjia 2”, ku sipas aktakuzës, në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022, kanë furnizuar në mënyrë të paligjshme barna përmes tenderëve fiktivë dhe kanë përvetësuar një pjesë të terapisë. Me këtë, sipas prokurorisë, buxheti i shtetit është dëmtuar për pothuajse 36 milionë euro.

Paralelisht zhvillohet edhe lënda “Onkologjia 1”, në të cilën Vasev dhe edhe dy mjekë të tjerë akuzohen për mjekim të pakujdesshëm të pacientëve.

Ndryshe, në shkurt të këtij viti gjykata e refuzoi kërkesën për heqjen e paraburgimit, edhe pse ishin ofruar garanci pasurore. Më herët, në maj të vitit të kaluar, të akuzuarve u ishte caktuar arrest shtëpiak, i cili më vonë, pas ankesës së Prokurorisë, u zëvendësua me paraburgim efektiv.