“Shfaqej e pushtetit mafioz”. “Mospërputhje mes Ungjillit dhe dhunës”. Dhe më tej: “Një turp për Romën”. Funerali në stilin e “Kumbarit” i Vittorio Casamonica, kapoja i klanit të nomadëve që ka qenë i njohur gjatë 30 viteve të fundit të historisë së qytetit – që nga banda della Magliana deri te Mafia capitale – është kthyer në çështje politike në Itali. Një funeral i zhvilluar me karroca me kuaj, kortezh veturash që udhëhiqeshin nga një Rolls-Royce që transportonte të ndjerin, një bandë frymore dhe gjigandografia me të shkruar “Mbreti i Romës” në fasadën e kishës së Don Bosco-s, në zonën e Tuscolano-s.
Ndërkohë gjatë ceremonisë dëgjoheshin në sfond notat e bandës frymore e cila luante melodi nga filmi i njohur me mafiozë “Kumbari”.
Një ceremoni e cila e revoltoi Rosy Bindi-n, presidenten e komisionit parlamentar italian Antimafia: “Është alarmante që funerali i një eksponenti të klanit Casamonica, që është përfshirë në hetime të shumta lidhur me kriminalitetin roman dhe mafia Capitale-n, është kthyer në një shfaqje publike të pushtetit mafioz. Ajo që ndodhi sot në Romë është krejtësisht e papranueshme” – tha ajo.
Ndërkohë fotot e mëposhtme përshkruajnë atmosferën e varrimit të “Kumbarit” roman.











