Maqedonia duhet të gjejë zgjidhje të shpejtë për kontestin me Bullgarinë. Këtë e porositi euro komisari për zgjerim, Oliver Varheji në forumin në Tiranë.
“Maqedonia e Veriut po e mban ritmin e zbatimit të reformave të BE-së, por është e rëndësishme që sa më shpejt të gjejnë zgjidhje të përbashkëta për çështjet bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, theksoi euro komisari për zgjerim, Oliver Varheji.
Për dallim nga Maqedonia, Varheji e lëvdoi Shqipërinë duke shprehur përkrahje të fortë për hapjen e negociatave me këtë shtet.
“Komisioni mendon se në konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë për fillim të negociatave me BE-në janë plotësuar të gjitha kushtet, falë reformave të rëndësishme në ligjin zgjedhor, sundimit të së drejtës edhe në sistemin gjyqësor duke e përfshirë edhe vetingun e gjykatësve dhe prokurorëve”, shtoi Varheji.
Nga ana tjetër, kryeministri Zaev tha se qëndrimi i Qeverisë së Maqedonisë është i qartë, se asnjëherë nuk do të negociojë për identitetin dhe gjuhën. Megjithatë shtoi se BE-ja duhet t’i plotësojë premtimet e dhëna ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Maqedonia e Veriut asnjëherë nuk ka pasur interes tjetër përveç të bashkëpunojë në mënyrë të qete dhe të denjë me fqinjët e saj, me të gjitha kombet dhe bashkësitë etnike në Evropë. Por, të jem i qartë dhe ta përsëris edhe një herë qëndrimin e qeverisë. Ne asnjëherë nuk do të lejojmë të bisedojmë për atë për të cilën nuk mund të bisedohet – Kush jemi, cilat janë atributet tona të identitetit, cila është gjeneza jonë, shteti ynë dhe gjuha”, deklaroi Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Varheji rikujtoi se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor do të jetë pjesë e Unionit, por kur t’i realizojë reformat që i kërkon BE-ja. Siç dihet, Franca ishte vendi i parë që e pengoi fillimin e negociatave me
Maqedoninë e Veriut duke kërkuar ndryshim të metodologjisë për zgjerimin e BE-së. Para disa muajve bllokada erdhi edhe nga Bullgaria me arsyetim se Maqedonia nuk e respekton marrëveshjen për fqinjësi të mirë, e nënshkruar në vitin 2017.
