Varhei: Raportet me Ballkanin Perëndimor janë prioriteti ynë

TË FUNDIT

Komisari për zgjerim Oliver Varhei konfirmoi në Konferencën e sotme ministrore të Bashkimit Evropian-Ballkani Perëndimor se prioritet i Komisionit Evropian janë marrëdhëniet me rajonin.

“Kur bëhet fjalë për migracionin, përmirësimi i bashkëpunimit është thelbësor për forcimin e aftësive për menaxhimin e kufijve dhe luftën kundër kontrabandimit”, shkroi Varhei në Tuiter.

Ai së bashku me eurokomisarët për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, Didier Renders dhe Ilva Johanson, merr pjesë në video konferencën e sotme të ministrave të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

KE njoftoi se konferenca do të diskutojë bashkëpunimin në menaxhimin e migracionit, duke përfshirë intensifikimin e shkëmbimit rajonal të informacionit, përmirësimin e sistemeve të informacionit dhe forcimin e kapaciteteve të pritjes dhe azilit në prag të Paktit të ri evropian të migracionit dhe azilit.

Pas prezantimit të Europol për luftën e vazhdueshme kundër terrorizmit në rajon, ministrat do të diskutojnë për sfidat aktuale në lidhje me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, përfshirë progresin në zbatimin e Planit të përbashkët aksional për luftë kundër terrorizmit për Ballkanin Perëndimor.

Do të diskutohet edhe për përmirësimin e bashkëpunimit operacional në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe për Planin e ri të BE-së për tregti  të armëve dhe për Planin aksional për drogë.