Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike njofton se sot do të mbajë mot me diell dhe shumë i nxehtë, me vranësira të pakta deri mesatare lokale. Gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes pritet paqëndrueshmëri lokale, e shoqëruar me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima, erë të përforcuar dhe kushte për stuhi të izoluara me breshër.
Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, ndërsa në disa vende herë pas here e përforcuar nga drejtimi veriperëndimor.
Temperaturat do të lëvizin nga 12 deri në 37 gradë Celsius.
Në Shkup gjithashtu pritet mot me diell dhe shumë i nxehtë, me vranësira të pakta deri mesatare. Pasdite, në disa pjesë të luginës do të ketë reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të përforcuar. Temperatura do të arrijë nga 16 deri në 35 gradë Celsius.
Sipas sinoptikanëve, deri të premten, nën ndikimin e një serie masash ajrore të lagështa dhe të paqëndrueshme, moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe vende-vende i paqëndrueshëm, me reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima. Lokalisht, proceset do të marrin formën e stuhive afatshkurtra, të shoqëruara me erë të fortë dhe breshër të izoluar.
Të premten priten reshje më të dendura shiu, ndërsa për shkak të depërtimit të një mase më të ftohtë ajrore nga veriu, temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme.
