Qëndrimet e kundërta mes partive që negociojnë zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos u thelluan edhe më tej, pas dorëzimit të propozim-ligjit për ndalimin publikimit të “bombave” në kuvend. Ishte ndërmjetësi Piter Van Haute, që ndërhyri edhe një herë që të vazhdohet me bisedimet.
Deputeti i BDI-së Talat Xhaferi kishte qëndrim të prerë se nuk do ta tërheqë propozimin për ndalimin e “bombave”, por pas takimit mes tij dhe ndërmjetësit Van Haute, palët arritën në marrëveshje të përkohshme që do ta zhbllokojë dialogun. Van Haute u shpreh se është optimist se marrëveshja do të arrihet sonte.
“Ajo që mësova sot është se ka përparim sa i përket gjetjes së zgjidhjes në lidhje me kodin zgjedhor. Ende nuk ka zgjidhje, po jemi në rrugë të mirë. Diskutuesit janë shumë konstruktivë. Njerëzit janë me të vërtetë të angazhuar në diskutimin në fjalë. Shpresojmë se kështu do të vazhdojmë dhe se do ta kryejmë në kohë të duhur dhe t’ju japim informatë se kur do të mbarojnë bisedimet rreth kodit zgjedhor.
Çështje tjetër është ligji mbi akuzat kriminale, i cili ishte në Parlament. Kemi marrëveshje që ligji do të ridrejtohet te grupet punuese, për t’u arritur marrëveshje së bashku me mbrojtjen për ‘fishkëlluesit’. Sipas të gjitha gjasave, ky diskutim do të ndodhë javën e ardhshme. Marrëveshja është që të zgjidhim çështjen e të dy ligjeve para 20 tetorit.
Ky problem tani për tani është zgjidhur. Unë nuk jam pesimist për këtë gjë. Do të vazhdojmë të diskutojmë rreth çështjeve të tjera. E shoh që njerëzit janë të përkushtuar që të respektohet marrëveshja e nënshkruar. Shpresoj që punët do të ecin përpara…”, deklaroi Van Haute sot pasdite, pas bisedimeve në Parlament dhe me grupet punuese.
