Më pak se 10 për qind e popullsisë së botës kanë antitrupa ndaj koronavirusit, ndërsa vaksinimi është mënyra e vetme për ta arritur imunitetin e masës, deklaroi Sumija Suminanathan, studiues kryesor i OBSH-së.
Në intervistën, të publikuar në profilin në Tuiter të organizatës, Suminathan theksoi se OBSH po i ndjek studimet që i analizojnë vatrat e infeksionet në disa qytete të botës. Megjithëse hulumtimet tregojnë se ndonjëherë pothuajse gjysma e popullsisë në qytetet e mëdha dhe të populluara dendur kanë antitrupa ndaj koronavirusit, kjo nuk na lejon të flasim për arritjen e imunitetit të masës.
“OBSH i ndjek këto studime sero-epidemiologjike dhe nëse i shikojmë së bashku, do të shohim se më pak se 10 për qind e popullsisë së botës kanë antitrupa ndaj virusit”, tha Suminanathan.
Mënyra e vetme për ta arritur imunitetin e masës në të gjithë botën është përmes vaksinimit, tha Suminanathan.
