VADEFULL PËR TV21: “QERSHORI AFAT I SHKURTËR PËR VENDIM”

Bundestagu gjerman ka drejtë të sjell vendim nëse do të nisin negociatat me vendin kandidat, por periudha prej 29 majit, kur do të publikohet Raporti i progresi, deri në mes të qershorit, kur do të sillet vendimi për fillimin e negociatave, është shumë e shkurtër. Këtë për TV21 e deklaroi Johan David Vadefull, nënkryetar i CDU/CSU, grupit të deputetëve përgjegjës për politikë të jashtme dhe siguri.

“Siç dini, Bundestagu i Gjermanisë ka të drejtë të sjellë vendim se kur do të fillojnë negociatat me vendin kandidat. Raporti që ka të bëjë me progresin e bërë, do të pranohet më 29 maj , në vend që në mes të prillit, si zakonisht. Bundestagu me shkrim duhet ta tregojë qëndrimin e tij më 3 qershor pas çka duhet të sillet vendim në seancë plenare më 7 qershor që u mundëson ministrave të punëve të jashtme të BE-së dhe ministrave evropianë, ta sjellin vendimin e tyre më 18 qershor”, tha Johan David Vadeful, nënkryetar i CDU/CSU

Agjenda e tillë, sipas Vadefull është shumë e shkurtër për, siç thotë, të sjellë një vendim të  rëndësishëm, andaj thotë se ata do të votojnë në shtator, ndërsa pritet që negociatat të fillojnë në fund të vitit. Vadefull thotë se sipas asaj që ka dëgjuar, Franca gjithashtu nuk është e disponuar që të japë dritë jeshile për fillimin e negociatave aderuese në qershor, por është e gatshme të votojë në samitin e shefave të shteteve, në tetor.

“Koha është shumë e shkurtër që grupi im parlamentar të sjellë një vendim të tillë për një çështje aq të rëndësishme. Kështu që ne do të votojmë vetëm më 26 dhe 27 shtator. Shefat e shteteve të BE-së pastaj do të vendosin për fillimin e negociatave aderuese më 17 dhe 18 tetor. Supozojmë se Maqedonia e Veriut do të përparojë. Siç është marrë vesh në qershor të vitit të kaluar, Këshilli Evropian do të sjellë vendim në dhjetor në lidhje me hapjen e kapitujve 23 dhe 24. Ky do të jetë fillim konkret i negociatave”, potencoi Johan David Vadeful, nënkryetar i CDU/CSU.

Por edhe përkundër prononcimeve të tilla se në qershor do të ketë prolongohet sjellja e  vendimin për fillimin e negociatave, kryeministri, Zoran Zaev edhe në tubimin e mbrëmshëm tha se pritet që të fillojmë negociatat me BE-në. Megjithatë, kësaj here nuk e përmendi qershorin, por tha se pritet që negociatat të fillojnë këtë verë.

“Ecim drejtë BE-së, presim që Unioni t’i vlerësojë rezultatet e reformave në vend, marrëdhëniet e mira fqinjësore me 5 vendet fqinje, të arritura përmes kulturës evropiane të kompromisit, dhe këtë verë të marrim datë për fillimin e negociatave me BE-në. Seriozisht përgatitemi për fillimin e negociatave dhe me këtë ndërtojmë shtet sipas standardeve evropiane”, theksoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Partneri i tij i koalicionit, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi se nëse nuk ka negociata në qershor, do të ketë në shtator.

“Nëse nuk ndodh në qershor do të ndodh në shtator, por është një proces shumë i rëndësishëm dhe ne duhet të punojmë në atë drejtim të përshpejtimit të standardeve, zbatimit të standardeve që na afrojnë me Bashkimin Evropian, në veçanti sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit” deklaroi kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Nga opozitarja, VMRO-DPMNE-ja, paralajmëruan se nëse vendi në qershor nuk merr datë për fillim të  negociave, do të kërkojnë përgjegjësi politike nga kryeministri, Zaev, zv.kryeministri, Bujar Osmani dhe ministri për punë të jashtme, Nikolla Dimitrov, për, siç thonë një vit të tërë të humbur.

Përgatiti: Svetllana Unkovska