“Usje” në fokus të Këshillit të Shkupit, opozita kërkon debat për dislokimin e çimentores

TË FUNDIT

Qytetarët kanë kërkuar dislokimin e çimentores “Usje” dhe institucionet, ndër to edhe Qyteti i Shkupit, janë të detyruara që t’u mundësojnë atyre jetë të shëndetshme, tha këshilltari Marjan Kalevski nga Nisma “Qyteti i Gjelbër dhe Human” në seancën e sotme të Këshillit.

“Qyteti i Shkupit është institucion, kështu që e ka për detyrë t’ua mundësojë qytetarëve. Ju lus edhe njëherë, kjo pikë të vendoset në rendin e ditës, sepse ka nevojë urgjente. Ndotja është tani, nuk duhet të jetë për një muaj ose 2 muaj, kur nuk do të ketë më shumë muaj”, tha Marjan Kalevski, këshilltar në Qytetin e Shkupit – Q.GJ.H.

Këshilltari nga radhët e PLD-së, Risto Penov, tha se ky problem është mjaft serioz në Shkup, dhe edhe pse Qyteti nuk ka kompetenca për të vendosur për dislokim, do të ishte mirë që të debatohet, të shprehen mendime dhe të nisë ndonjë iniciativë, sepse, siç u shpreh, të gjitha paralajmërimet janë serioze se çimentorja ndot rëndë.

Kryetari i qytetit, Orce Gjorgjievski, konfirmoi se Qyteti i Shkupit nuk ka kompetenca mbi funksionimin e çimentores, por se do të hapet debat dhe përfundimi do t’u dërgohet institucioneve kompetente si Ministria e Mjedisit.

“Ne si këshill dhe si Qytet i Shkupit sot edhe në buxhetin që duhet ta votojmë kemi pika që lidhen me mbrojtjen e mjedisit të kryeqytetit. Por këto janë pika mbi të cilat kemi kompetenca dhe do ta theksoj përsëri se, pavarësisht faktit që nuk kemi kompetenca konkretisht mbi industrinë e çimentos, nuk shoh ndonjë problem në mosarritjen e një përfundimi të përbashkët dhe paraqitjen e një përfundimi të institucioneve kompetente për veprime të mëtejshme”, shtoi Orce Gjorgjievski, Kryetar i Qytetit të Shkupit.

Si përfundim, u vendos se do të ketë debat për dislokimin e çimentores “Usje” në secnaën e sotme,  por si pika e fundit e rendit të ditës.  Paraprakisht opozita në Këshillin e Shkupit ka kërkuar mbikëqyrje inspektuese në Usje, me masa konkrete e jo me premtime boshe. Nga çimentorja Usje i kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat se veprimtaria e saj është shkak i ndotjes së ajrit në kryeqytet, pasi sipas tyre, fabrika është nën monitorim të pavarur 24-orësh dhe se të gjitha matjet janë nën kufijtë e lejuar me ligj.