USHQIMI SHKAKTAR I TENSIONIT DHE SHEQERIT TË LARTË

Ushqimi jo i shëndetshëm shkakton probleme me tensionin. Kështu thotë Rumena Ivanovska nga Klubi Shëndetësor “Shëndeti im”.  Tensioni më i lartë i matur sot në parkun e qytetit është 200, ndërsa më i ulëti është 60. Porosia e mjekëve është që qytetarët të pinë ujë më tepër dhe të kenë kujdes me ushqimin.

“Probleme të ndryshme, varësisht nga mosha. Të moshuarit kanë probleme me sheqerin, me kolesterolin, dikush me tensionin. Tensioni më i lartë të cilin sot e kemi matur është 200. Ndërsa më i ulëti 60. Nutricionistët dhe mjekët ju japin këshilla se si të ushqehen”, deklaroi Rumena Ivanovska nga Klubi shëndetësor “Shëndeti im”.

Por disa nga qytetarët që i pyetëm thonë se janë të relaksuar.

“Nuk mendohem shumë se si ushqehem shëndetshëm apo jo. Kam dëshirë të ha mish të derrit edhe pse është pak i yndyrshëm. Por ha edhe si çdo qytetar domate dhe speca, por edhe pemë të ndryshme”, tha një qytetar.

“Më thanë që jam mirë, por tensionin e kam pak të ulët. Duhet që ushqimin pak ta ndryshoj”,tha një qytetar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë në këtë ditë botërore të shëndetit, fokusin e ka në mbulimin e përgjithshme nga aspekti i shëndetit. Të dhënat prej atje tregojnë se të paktën gjysma e njerëzve në Botë nuk i marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore. Mbi 800 milionë njerëz, thuajse 12% nga popullata e botës shpenzojnë së paku 10% nga mjetet e tyre për shpenzime shëndetësore. Kërkesa për punëtorë të shëndetësisë është në rritje që parashikon të shtohen 40 milionë vende pune në sferën e shëndetësisë, në ekonominë globale, deri në vitin 2030.