Përmes urimeve, pushteti dhe opozita edhe ditën e sotme, 1 Maj-Ditën Ndërkombëtare të Punës, me kritika të ndërsjella, por edhe retorikë se si e shënojnë festën para zgjedhjeve. Kryeministri Zoran Zaev, përmes një video-fjalimi, tha se të drejtat e punëtorëve janë në vend të parë, se rrogat kanë shënuar rritje dhe se në kohë pandemie, pushteti me ndihmën që e jepte, i ruajti kompanitë dhe vendet pune.
“Përveç shëndetit të njerëzve, kriza u kërcënua që të rrezikojë mijëra vende pune. Prandaj, në vend të parë të prioriteteve ekonomike të Qeverisë që nga fillimi i pandemisë ishte punëtori. Siguruam mbështetje për të ruajtur mijëra vende pune. Në emrin e të drejtave dhe kujdesit për punëtorët, e krijuam tekstin e ri të propozim-ligjit për marrëdhënie pune”, deklaroi Zoran Zaevi.
Për dallim nga pushteti, opozita me mendim të ndryshëm lidhur me gjendjen e ekonomisë dhe të drejtat e punëtorëve. Mundi dhe punëtori kurrë nuk kanë qenë më të nënçmuar si tani. Kompanitë në vend që të kenë ndihmë, morën thërrime, e me këtë u rrit numri i të papunëve, thuhet në kumtesën e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
“Ky vit është viti më i zi ekonomik për Maqedoninë. Për një vit në Maqedoni ka mbi 60 mijë të papunë të rinj, mbi 6.000 kompani vendosën çelës në dyert e tyre dhe pothuajse 600 mijë njerëz jetojnë në varfëri. Ndjenja e hidhërimit tek secili prej nesh nuk është vetëm për shkak të rënies së standardit, por edhe për shkak të neglizhencës dhe politikave të këqija të këtij pushteti, të cilat nuk japin shpresë se gjërat do të përmirësohen shpejt”, vlerësoi Mickoski.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në emrin e tij dhe të deputetëve ua uroi festën punëtorëve, duke thënë se për punëtorët duhet të kujdesemi çdo ditë, e jo vetëm më 1 maj.
“Sot kur ekonomitë botërore ballafaqohen me pasojat e pandemisë së Covid-19, barra e rëndë bie mbi supet e punëtorëve dhe secili po ballafaqohen ashtu si mundet. Prandaj, le të kujtojmë se jo vetëm më 1 maj, por brenda të gjitha 364 ditëve të vitit, fort të angazhohemi për respektimin e mundit të punëtorit, për mbrojtjen e vendit të punës, për një rrogë dinjitoze dhe vlerësimin e punës së secilit individ”, shkroi Xhaferi.
Edhe zëvendëskryeministri Artan Grubi, përmes profilit të tij në Fejsbuk, porositi se të gjithë duhet të angazhohen që punëtori të vlerësohet në mënyrë të denjë. -Jepjani hakun punëtorit para se t’i thahet djersa, shkroi ai.
