Rreth 2.3 milionë fëmijë kanë nevojë urgjente për ndihmë pas shpërthimit të konfliktit në rajonin etiopian, Tigrai, ndërsa mijëra të tjerë janë në rrezik në kampe refugjatësh, kumtoi sot agjencia e fëmijëve e KB.
Tigrai është tronditur nga luftime të përgjakshme që nga 4 nëntori, kur kryeministri etiopian, Abi Ahmed njoftoi fillimin e operacioneve ushtarake kundër qeverisë rajonale.
Ky hap ishte një përshkallëzim dramatik i mosmarrëveshjeve të gjata midis qeverisë federale dhe Frontit Popullor të Çlirimit, partisë në pushtet që dominoi në politikën etiopiane për gati tre dekada para se Abiu të merrte detyrën në vitin 2018.
Qindra njerëz janë vrarë në luftime dhe mijëra janë larguar përtej kufirit verior të Etiopisë me Sudanin fqinj.
“Në rajonin Tigrai, aksesi i kufizuar dhe ndërprerjet e vazhdueshme të komunikimit kanë lënë rreth 2.3 milion fëmijë, të cilët kanë në nevojë për ndihmë humanitare dhe janë të paarritshëm”, tha drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Henrieta Fore.
Agjencia vlerëson se “rreth 12.000 fëmijë – disa prej tyre pa prindër ose të afërm – janë në strehimore në qendrat e regjistrimit dhe janë në rrezik”.
Shumë nga kampet e improvizuara në Sudan janë të mbipopulluara dhe refugjatët luftojnë me kushte josanitare, qasje të kufizuar në ujë dhe ushqim.
Agjencia e KB-së kumtoi se po përpiqej të siguronte ndihmë emergjente për shpëtimin e jetës dhe mbështetje për fëmijët që jetojnë në kushte “jashtëzakonisht të vështira” në kampe.
Fore u bëri thirrje të gjitha palëve në konflikt të lejojnë hyrjen humanitare dhe të përmbahen nga përdorimi i eksplozivëve në zonat dendur të populluara./MIA
