UNESKO: Rritje dramatike e dhunës ndaj gazetarëve në protestat nëpër botë

TË FUNDIT

Dhuna ndaj gazetarëve që raportojnë për protesta në të gjithë botën është rritur në mënyrë dramatike, ndërsa policia dhe forcat e sigurisë janë autorët kryesorë, njoftoi sot UNESKO. Ky agjencion i KB-së, në mes janarit dhe qershorit të këtij viti, regjistroi 21 protesta në të cilat gazetarët u sulmuan, u arrestuan ose u vranë.

Sulmet janë pjesë e tendencës më të gjerë gjatë pesë viteve të fundit në të cilën policia dhe forcat e sigurisë kanë përdorur forcë të tepruar, thuhet në raportin e agjencisë.

Të paktën dhjetë gazetarë u vranë në mes vitit 2015 dhe vitit 2020, ndërsa 125 u sulmuan ose u arrestuan, thuhet në raportin e UNESKO-s që mbulon situatën në 65 vende.

Gazetarët e vrarë punuan në Siri, Meksikë, Izrael, Nikaragua, Irlanda e Veriut, Nigeri dhe Irak.

Drejtori i Përgjithshëm i UNESKO-s, Odri Azullaj, sot u bëri thirrje qeverive që të sigurojnë se gazetarët mund të bëjnë punën e tyre pa frikë për sigurinë e tyre.

“Gazetarët kanë rol kryesor në raportimin dhe informimin e qytetarëve në lidhje me protestat, kështu që ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjitha institucioneve përkatëse të sigurojnë respektimin e këtyre të drejtave themelore”, tha Azullaj.

UNESKO konsideron se arsyet e protestave janë pabarazia ekonomike, korrupsioni, shkelja e lirive politike, autoritarizmi në rritje, dhe për këtë arsye disa qeveri nuk janë të interesuara për informim objektiv.