UNESKO-ja “e zgjoi” pushtetin, kryetari i Ohrit paralajmëroi rrënim të objekteve pa leje

TË FUNDIT

Pas publikimit të Raportit të UNESKO-s i cili përmban kritika serioze dhe me të cilin rekomandohet që Ohri dhe Liqeni i Ohrit të vendosen në listën e vlerave të rrezikuara botërore, kryetari i kësaj komune, Konstantin Georgievski paralajmëroi rrënimin e ndërtimeve pa leje. Ai premton përkushtim më të madh në drejtim të plotësimit të rekomandimeve të kësaj organizate botërore për mbrojtje të pasurisë kulturore dhe natyrore.

“Pasi të finalizohen aktivitetet për rregullimin e plazhit te Llagadini, lagjja Shën Stefan dhe Gorica 3, do t’i qasemi largimit të objekteve të ndërtuara pa leje dhe platformave në pjesën e lokalitetit Eleshec. Gjithashtu në periudhën në vijon do t’i largojmë edhe platformat dhe objektet në zonën e qytetit nga kanali Studeniçishta deri në Gorica 1 dhe plazhet në pjesën e lagjes Kaneo të cilat janë përfshirë në Planin e Përgjithshëm Urbanistik”, deklaroi Georgievski.

Kërkuam qëndrim edhe nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, prej ku thanë se ata mbesin të angazhuar për ta ruajtur statusin e Rajonit të Ohrit si trashëgimi botërore kulturore, duke shtuar se për këtë nevojitet përkushtim edhe nga shumë institucione si në nivel lokal, ashtu edhe në atë shtetëror. Disa masa korrektuese dhe aktivitete të kërkuara tashmë janë zbatuar, kurse disa të tjera priten të realizohen gjatë këtij viti.
GRAFIKË:
MINISTRIA E MJEDISIT JETËSOR
“Në vitin 2021, në pajtueshmëri me Planin për Menaxhim, është anuluar zona turistiko-zhvillimore Lubanishta 1, kurse duhet të përpilohet edhe Plani i Detajuar Urbanistik në bregun e Liqenit të Ohrit. Po rrjedh afati i paraparë ligjor për shpallje të Studençishko Bllato si zonë e mbrojtur. Në mënyrë shtesë dhe në pajtueshmëri me fatet ligjore dhe dinamikën e paraparë, Ligji për shpallje të Liqenit të Ohrit për monument të natyrës pritet të miratohet në tetor të këtij viti”, thanë nga MMPJH-ja.

Kryetari i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski nuk pret që pushteti ta përmirësojë statusin e Liqenit të Ohrit, por, siç pohon, edhe më shumë do ta keqpërdorë rajonin për zgjedhjet e ardhshme.

“Supozoj se do të bëjnë pazar edhe për këto zgjedhje lokale me struktura të ndryshme gjysmë-mafioze të cilat do t’i shantazhojnë për leje për ndërtim, tenderë, legalizim. Kështu që nuk do të befasohemi nëse vitin e ardhshëm fitojmë notë edhe më të keqe dhe nëse na marrin statusin”, tha Mickoski.

Dje, pas publikimit të Raportit, kryeministri Zaev tha se Qeveria është e vetëdijshme për kartonin e verdhë nga UNESKO-ja. Tha se grupi ekspertësh i kësaj organizate botërore e cila e përpilon raportin, vitin e kaluar në janar e ka vizituar vendin, ndërsa prej atëherë janë ndërmarrë shumë hapa.