Këshilli i Evropës i ka hequr imunitetin ish-Sekretarit të Përgjithshëm, Thorbjørn Jagland, duke i hapur rrugë hetimeve penale ndaj tij në Norvegji. Vendimi u mor unanimisht nga Komiteti i Ministrave, pas kërkesës zyrtare të autoriteteve norvegjeze.
Hetimet lidhen me dyshime për korrupsion dhe raportet e Jagland me financierin amerikan Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale dhe i akuzuar për ndërtimin e një rrjeti të gjerë shfrytëzimi të të miturve.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi vjen pas publikimeve mediatike që nga nëntori i vitit 2025, ku përmenden kontakte dhe korrespondencë mes Jagland dhe Epstein. Në disa prej email-eve të bëra publike, ish-zyrtari i lartë përmend një vizitë në Tiranë, ndërsa në një tjetër thuhet se i është përgjigjur një kërkese të Epstein për ta ndihmuar në vendosjen e një kontakti me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov. Ende nuk dihet nëse një takim i tillë është realizuar.
Emri i Jagland u përmend edhe në dokumente të publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë në fund të janarit, në kuadër të çështjes Epstein.
Agjencia norvegjeze kundër krimit ekonomik, Økokrim, kishte kërkuar zyrtarisht heqjen e imunitetit për të vijuar hetimet për korrupsion të rënduar. Me vendimin e fundit të Këshillit të Evropës, Jagland nuk gëzon më mbrojtje nga ndjekja penale.
