Ulet çmimi i ngrohjes qendrore për 35% për kompanitë dhe institucionet, amvisëritë do të presin

TË FUNDIT

Çmimi i ngrohjes qendrore do të ulet për 35%, por kjo do të vlejë vetëm për kompanitë, institucionet publike dhe shtetërore. Këtë e bëri me dije kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës, Marko Bislimovski, i cili tha se kanë vendosur të ndërmarrin këtë hap për shkak të uljes së çmimit të gazit natyror. Siç shpjegoi ulja do të llogaritet për muajin shkurt, gjegjësisht për faturat që do t’i marrin në fillim të marsit. Këtë po e bëjmë sepse deri më tani këta konsumatorë nuk kanë pasur asnjë subvencion, shtoi Bislimovski.

“Çmimin e energjisë termike për konsumatorët e Shkupit, para se gjithash për konsumatorët afaristë, shkollat fillore, çerdhet, dyqanet e vogla, e ulëm për 35%. Ky vendim bazohet në shpenzimet e ulura për gazin natyror. Të gjithë konsumatorëve të cilët gjatë periudhës së kaluar nuk kishin asnjë subvencion, t’ua ulim shpenzimet për energji termike”, tha Marko Bislimovski, kryetar i KRRE-së.

Ulje të çmimeve nuk do të ketë për amvisëritë sepse, siç tha Bislimovski, faturat e tyre janë subvencionuar nga shteti. Korrigjim eventual paralajmëroi për në muajin korrik.

“Gjatë 3 viteve të fundit që kur filloi kriza energjetike në pjesën e energjisë termike, rreth 20% e shpenzimeve janë subvencionuar nga Qeveria dhe kjo gjë vazhdon edhe gjatë këtij sezoni. Zakonisht gjatë korrikut, siç bëjmë deri më tani, do të sjellim vendime të reja për çmimin e energjisë termike për amvisëritë”, shtoi Marko Bislimovski, kryetar i KRRE-së.

Përndryshe, fatura më të ulëta do të marrin rreth 1200 kompani dhe institucione, që shpenzojnë rreth 20% nga sasitë e nevojshme të energjisë termike. Gjithsej 65.000 konsumatorë janë kyçur në energji termike, ndërsa nga fillimi i sezonit të ngrohjes janë kyçur rreth 1000 konsumatorë të rinj.