Ukraina dhe Rusia në prag të arritjes së marrëveshjes për eksport të grurit

TË FUNDIT

Ukraina dhe Rusia janë në prag të arritjes së marrëveshjes për eksport të grurit, thotë ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmitro Kuleba, në intervistë për gazetën spanjolle El Pais.

“Ukraina është e gatshme që ta eksportojë grurin e saj. Jemi në prag të arritjes së marrëveshjes me Rusinë. Jemi në fazën përfundimtare dhe tani gjithçka varet nga Rusia. Nëse me të vërtetë duan, së shpejti do të fillojë eksporti i grurit”, sqaron Kuleba.

Vijojnë bisedime ndërkombëtare për organizimin e eksportit të grurit ukrainas përmes Detit të Zi, ku Ankaraja luan rol aktiv.

Përfaqësues turk bisedojnë për krijimin e të ashtuquajturit korridor të drithit me Kievin dhe Moskën. Paraprakisht, Moska theksoi se Rusia nuk e parandalon eksportin e drithit ukrainas përmes detit.

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Moska do të garantojë kalim të papenguar të anijeve me grurë ukrainas, nëse Kievi i pastron portet e tij nga minat.

Në Stamboll sot do të mbahet mbledhje për eksport të grurit ukrainas përmes detit. Të pranishëm do të jenë delegacione ushtarake të Rusisë, Turqisë, Ukrainës, si dhe përfaqësues i Kombeve të Bashkuara.