Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në fshatin Dimcë të Komunës së Hanit të Elezit, ku nga një ujk janë sulmuar fëmijët e këtij fshati.
Në një postim në “Facebook”, një dëshmitar me emrin Ekrem Suma, ka thënë se ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites së djeshme kur ujku ka sulmuar fëmijët në një rrugicë mali, pothuaj se në fshat me ç’rast më së keqi ka pësuar njëri nga fëmijët më të vegjël i moshës 5-vjeçare.
“Ai tha se në momentin kur ka ndëgjuar thirrjet e fëmijëve, ka qëlluar shumë afër vendit të ngjarjes dhe ka mundur të largojë ujkun i cili e kishte tërhequr zvarrë për disa metra fëmijën”, thuhet në postimin e faqes në “Facebook”.
Për të kuptuar për më shumë, vendin e ngjarjes, sot e vizituan përfaqësuesit e komunës dhe Policisë së Kosovës.
Raportohet se fëmija ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Spitalore në Prishtinë, ndërsa është jashtë rrezikut për jetë./21Media
