Në “Debate zgjedhore” në TV21, ku po diskutohet për komunën e Tearcës, është hapur edhe problemi i ujit të pijshëm i cili mungon në këtë fshat.
Kandidati i VLEN-it për kryetar të kësaj komune, Daut Memishi tha se ka marrë udhëzimet nga persona kompetentë, të cilat e kanë rekomanduar vënien në funksion të filtrave natyralë. Më tej ai ka përmendur edhe ndërmarrjen, rezervuarin dhe stacionin e filtrimit.
“Me ardhjen tonë në Komunë do të duhet që ndërmarrjen e cila funksionon me disa fshatra, ta sistematizojmë ashtu siç duhet edhe në ato fshatra të cilat i menaxhon sepse nga banorët kemi shumë ankesa pasiqë shërbimet nuk i marrin me kohë dhe nuk kanë potencial për t’i kryer të gjitha shërbimet e mundshme në ato fshatra”, tha Memishi duke përmendur edhe rezervuarin dhe stacionin e filtrimit.
Kundërkandidati i tij nga AKI, Nazim Taipi premtoi se çështja e ujit të pijshëm do të zgjidhet brenda mandatit katërvjeçar të tij si kryetar i ardhshëm i Tearcës.
“Unë garantoj se brenda këtij mandati do ta rregulloj çështjen e ujit të pijshëm, në të gjitha vendbanimet. Kam dalë vetë dhe e kam parë se si qëndron gjendja në të gjitha vendbanimet. Nuk është se nuk është investuar aspak, janë projektet në proces”, tha Taipi.