Uji dhe energjia përballë investimeve! LSDM dhe VMRO-DPMNE përplasen për data-qendrat

TË FUNDIT

LSDM akuzon qeverinë se po shtyn projekte për data-qendra pa transparencë, duke paralajmëruar pasoja të mundshme për ujin, energjinë dhe bujqësinë. Nga partia thonë se një kompani ka bërë të ditur se ka siguruar nga Qeveria kapacitet prej 100 megavatësh dhe qasje të drejtpërdrejtë në lumin Vardar për ftohjen e data-qendrave, për të cilën Qeveria, sipas tyre, nuk ka dhënë informacion publik.

“Për shkak se energjia elektrike do të konsumohet më shumë, do të ketë import më të madh nga jashtë. Të gjithë e dimë se kush përfiton nga importi i rritur i energjisë elektrike. Çfarë do të nënkuptojë ky konsum për çmimin e energjisë elektrike për qytetarët? Sa do t’u kushtojë? Kush garanton se qytetarët nuk do të paguajnë çmim më të lartë për energjinë elektrike që dikush tjetër të bëjë fitime të mëdha?”, tha Maja Borozan, LSDM.

Nga VMRO-DPMNE kundërpërgjigjen duke akuzuar socialdemokratët se me qëndrimet ndaj idesë për ndërtimin e data-qendrave në Maqedoni nuk po mendojnë për zhvillimin e shtetit dhe përfitimet për qytetarët.

“Thënë thjesht, Filipçe edhe për këtë temë filloi të përhapë të pavërteta, panik ose histeri në opinion. Me sa duket, qendrat e të dhënave qenkan kërcënim për burimet ujore në vend, se do të ketë konsum enorm të energjisë elektrike, sikur të mos ketë dëgjuar për burimet e rinovueshme të energjisë elektrike dhe të ngjashme. Edhe këtë herë, me sa duket, Filipçe u bë nervoz dhe doli kundër qendrave të të dhënave, me gjasë sepse nuk kaloi iniciativa në Pehçevë e njeriut të tyre, të tijit dhe të Zaevit, përndryshe ish-deputet i LSDM-së”, pohoi Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.

Përndryshe, data-qendrat janë objekte të specializuara ku ruhen dhe përpunohen sasi të mëdha të dhënash përmes mijëra serverëve dhe pajisjeve të avancuara. Ato janë baza fizike e shërbimeve si cloud, inteligjenca artificiale, platformat online, bankat, rrjetet sociale dhe shërbimet digjitale.

Serverët punojnë 24 orë në ditë dhe gjenerojnë shumë nxehtësi, prandaj data-qendrat kanë sisteme të fuqishme ftohjeje, të cilat mund të përdorin energji dhe, në disa raste, sasi të konsiderueshme uji. Për këtë arsye, vendndodhja e tyre përcaktohet edhe nga qasja në energji elektrike, ujë dhe internet me kapacitet të lartë.