UEFA edhe zyrtarisht ka ftuar krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në një takim ku marrin pjesë të gjitha federatat e shteteve anëtare.
UEFA ka ftuar kryetarin e FFK-së z. Fadil Vokrri dhe sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu në një takim që do të mbahet me të gjitha federatat anëtare të UEFA-s 54 sosh, që të jenë mysafirë të saj.
Takimi do të mbahet në Maltë nga data 14 shtator deri më 17 shtator me të gjithë krerët e federatave. Në ditën e dytë të takimit do të zhvillohet një ndeshje ndërmjet kryetarëve të federatave dhe sekretarëve të përgjithshëm, ndërsa kryetari Vokrri dhe sekretari Salihu do të jenë pjesë e këtyre ekipeve.
Ekipit të parë do t’i prijë vet presidenti i UEFA-s Michel Platini e ku pjesë e këtij ekipi do të jenë emra të njohur të futbollit evropian e botëror, si Bonjek, Shuker Saviçeviç si dhe kryetari Fadil Vokrri.
Ndërsa në ekipin e dytë të cilin e përbëjnë sekretarët e përgjithshëm të federatave, do të jetë edhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së Eroll Salihu.
Ky takim i paraprinë mbledhjes së KE të UEFA-s që do të mbahet më 17 dhe 18 shtator në Maltë.
