Udhëheqësit e BE-së sot konfirmojnë konkluzionet mbi zgjerimin

TË FUNDIT

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të konfirmojnë konkluzionet e arritura nga ministrat e Jashtëm dhe të Çështjeve Evropiane mbi zgjerimin gjatë Samitit të Brukselit, i cili fillon sot.

Këshilli bënë të ditur se bëhet fjalë vetëm për konfirmimin e konkluzioneve pa diskutim, apo vendime të tjera nga drejtuesit e shteteve anëtare për procesin e zgjerimit.

Samiti i liderëve të BE-së në Bruksel fillon në ora 15:00 dhe aty pritet miratimi i konkluzioneve mbi buxhetin afatgjatë të BE-së, ndryshimet klimatike, dezinformimin dhe kërcënimet hibride.

Presidentët dhe kryeministrat e BE-së do të diskutojnë gjithashtu për çështjet e jashtme dhe një vendim pritet të shtrijë sanksionet ndaj Rusisë edhe për gjashtë muaj.

Në pjesën e parë të takimit pritet konfirmimi i konkluzioneve ministrore mbi zgjerimin. Në fund të takimit, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker do të informojnë krerët e BE-së mbi zhvillimet më të fundit në lidhje me Brexit, duke përfshirë përgatitjen e BE-së për skenarin që Britania largohet nga BE-ja pa marrëveshje./21Media