Udhëheqësit botërorë dënojnë sulmin rus në centralin bërthamor

TË FUNDIT

Udhëheqësit botërorë po akuzojnë Rusinë se po rrezikon sigurinë e një kontinenti të tërë pasi forcat e saj sulmuan një termocentral bërthamor.

Një zjarr shpërtheu në centralin bërthamor të Zaporizhzhia – më i madhi në Evropë – pasi u sulmua nga Rusia.

Shërbimet e Urgjencës të Ukrainës arritën të shuanin zjarrin, i cili shpërtheu në një ndërtesë jashtë perimetrit të uzinës, por autoritetet thonë se trupat ruse kanë “pushtuar” centralin, transmeton rtv21.tv.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Jonson tha se sulmi “i pamatur” i Rusisë mund të “kërcënojë drejtpërdrejt sigurinë e të gjithë Evropës”.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden i kërkoi Moskës të ndalojë aktivitetet e saj ushtarake rreth zonës, ndërsa kryeministri kanadez, Justin Trudeau tha se “sulmet e tmerrshme” nga Rusia “duhet të pushojnë menjëherë”./21Media