“U vra në një sulm tinëzar”, Vuçiq reagon pas vrasjes së policit Kërsmanoviq

TË FUNDIT

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes dhe kolegëve të policit të vrarë Nikolla Kërsmanoviq të enjten në Loznicë.

“Isha jashtëzakonisht i tronditur nga lajmi për vdekjen e policit Nikolla Kërsmanoviq, i cili u vra në një sulm tinëzar duke kryer me nder detyrën e tij të vështirë. Me dhimbje dhe pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të djalit dhe vëllait tuaj, policit trim Nikolla Kërsmanoviq. Përkushtimi i tij ndaj shërbimit kontribuoi pa masë në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në vendin tonë. Humbja e tij është e pariparueshme, jo vetëm për ju, familjen e tij, por për mbarë vendin tonë. Nikolla ishte hero i vërtetë, i cili ia kushtoi jetën mbrojtjes së të tjerëve dhe guximi dhe profesionalizmi i tij e udhëhoqën në të gjitha sfidat dhe rreziqet që kishte shërbimi i tij. Ju lutem pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta. Ju ngushëlloftë forca dhe guximi që tregoi Nikolla në jetën e tij në këto kohë të vështira. Serbia nuk do ta harrojë kurrë sakrificën dhe përkushtimin e tij vetëmohues ndaj detyrës”, thuhet në telegram.

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, ka thënë se një zyrtar policor është vrarë në Lloznicë – qytetin perëndimor në Serbi, në kufi me Bosnje e Hercegovinën – në orët e para të së enjtes, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajzirit – i lindur më 1991 – dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.

Sipas saj, policia është në kërkim të sulmuesit.

Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Brendshme, Daçiq ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar makinat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një makinë të llojit Mercedes, me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.

Sipas Ministrisë, njëri prej personave, më pas, ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviq në gjoks, dhe zyrtarin policor Vjekosllav Illiq në shpatull, dhe më pas ka ikur.

Të dy zyrtarët policorë janë transportuar në Spitalin e Llozninës, dhe Kërsmanoviq ka vdekur prej plagëve të marra.