Gjithsej kanë votuar 68 deputetë prej të cilëve 65 PËR, 3 KUNDËR, TË PËRMBAJTUR nuk ka. Konstatoj se Kuvendi zgjodhi Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Me 65 vota “PËR” dhe 3 “KUNDËR”, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë votoi përbërjen e re qeveritare, përbërje kjo që do të jetë valide deri në mbajtjen e zgjedhjeve, respektivisht, deri në formimin e koalicionit të ri qeveritar postzgjedhor. Qeveria teknike do të udhëhiqet nga kryeministri i parë shqiptarë në historinë e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Xhaferi në ekspozenë e tij para deputetëve, tha se pavarësisht nëse bëhet fjalë për një apo njëqind ditë, kësaj detyre do i qaset me nder dhe përgjegjësi. Premton se punën do ta kryejë me ndërgjegjshmëri, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, si dhe do të angazhohet për organizim demokratik të zgjedhjeve.
“Gjatë pranimit të mandatit për formimin e Qeverisë kalimtare për zbatimin e zgjedhjeve për deputetë nga Presidenti Pendarovski, theksova se e pranoj mandatin me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë, me premtim se ndërgjegjshëm dhe në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, Qeverinë dhe negociatat për formimin e saj do i zhvilloj në mënyrë përkatëse me nevojën dhe gjendjen politike në shtet, me shpresë se propozimi që sot e keni para vetes do të jetë përbërja përkatëse që do i përmbushë pritjet e situatës aktuale dhe mbi të gjitha, me përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë”, tha Talat Xhaferi – Kryeministër.
VMRO-DPMNE nuk votoi fare përbërjen e re qeveritare ndërsa të vetmit “Kundër” ishin deputetët e Levicës, Dimitar Apasiev dhe Borisllav Kërmov, si dhe kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov. Pas votimit të qeverisë teknike, përbërja e re qeveritare realizoi fotografi familjare mirëpo aty nuk morën pjesë ministrat e propozuar nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Për këtë Xhaferi tha që qytetarët nuk duhet të brengosen sepse puna e Qeverisë do t’i përfshijë edhe ata.
Përndryshe Qeveria teknike e udhëhequr nga Xhaferi, është e treta në historinë e mëvetësimin të Maqedonisë. Kryeministër i parë teknik ishte Emill Dimitrievski e më pas dhe Oliver Spasovski. Qeveria teknike do të zgjatë 100 ditë dhe detyra kryesore do të jetë organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale është caktuar për më 24 prill ndërsa i dyti bashkë me ato parlamentare më 8 maj.
