Trembëdhjetë persona, përfshirë shtatë burra të lidhur me grupin militant “Uollverin uoçmen”, janë arrestuar në SHBA për komplot për të përmbysur qeverinë në shtetin federal amerikan Miçigan dhe për rrëmbimin e guvernatores Gretçen Uitmer para zgjedhjeve presidenciale më 3 nëntor, kumtoi prokuroria.
FBI ka njoftuar paraprakisht se gjashtë persona janë arrestuar.
Sipas mediave, gjashtë persona janë arrestuar nën akuza federale dhe shtatë të tjerët me akuza në shtetin e Miçiganit.
Demokratja Uitmer shpesh është kritikuar nga presidenti Donald Tramp, veçanërisht për përpjekjen për të vendosur masa të rrepta të distancës sociale në vend, për shkak të koronavirusit.
Komploti i pretenduar ka nënkuptuar përfshirje të një grupi militant, sipas një deklarate me shkrim të lëshuar nga agjenti special Riçard Trask, ku thotë se grupi planifikon të përdorte kohën para stërvitjes përfundimtare për të mbledhur para për eksplozivë dhe materiale të tjera.
Sipas prokurorit të përgjithshëm të Miçiganit, Dan Nesel, “përpjekjet kanë rezultuar me zbulimin e planeve për kërcënimin e jetëve të policive, zyrtarëve dhe opinionit më të gjerë”.
Gjashtë të arrestuarit më parë përballen me burgim të përjetshëm nëse dënohen për tentim rrëmbimi.
Një nga të dyshuarit, Adam Foks, muajin e kaluar në një bisedë të koduar tha se ai “nuk dëshiron që seanca e fundit stërvitore të zhvillohet në javën e fundit të tetorit, pasi ata nuk do të kenë kohë të mjaftueshme për të kryer rrëmbimin para zgjedhjeve të 3 nëntorit”.
