U lëvduan, Teatri Shqiptar ende i mbyllur! Murtezi: Zvarritja e hapjes për shkak të pandemisë

TË FUNDIT

U fotografuan, e xhiruan, edhe BDI edhe Alternativa u lavdëruan, por Tetari Shqiptar i Shkupit ende nuk është hapur.

“Teatri bëhet me punë, jo me fjalë”. Kështu shkroi ministri aktual i Kulturës Hysni Ismaili gjatë fushatës zgjedhore, ku publikoi një videoincizim të objektit gjigand të teatrit.

Në fund të vitit të kaluar zv.kryeministri Bujar Osmani u fotografua në skenën e teatrit ku shkroi “U tha, u bë”, duke aluduar se meritat e themelimit të Teatrit Shqitar janë të BDI-së. Mirëpo asnjëra parti nuk arriti që të hapë dyert e Teatrit Shqiptar për artdashësit.

Para një muaji për TV21 ministri Hysni Ismaili pat thënë se nuk e di përse Ministria e Transportit dhe Lidhjeve nuk ia jep lejen për hapjen zyrave të teatrit.

“Objekti siç e dini është kompletuar, në mandatin tim u kompletua, siç e dini gjithçka është në rregull, por po pritet leja e Ministrisë së Transportit dhe lidhjeve për pranim teknik, që nuk e di për çfarë shkaqe, po mundohemi por nuk po mundemi ta pranojmë atë leje. Me atë leje do të mund të fillojë me punë zyrtarisht teatri” pat deklaruar kështu në TV21 Ministri i Kulturës Hysni Ismaili më 06 shkurt 2020.

Në mars të këtij viti, Ylber Murtezi U. D. drejtori i Teatrit sapo erdhi në detyrë me bindje të plotë tha se Teatri do të hapet zyrtarisht përpara zgjedhjeve të 12 prillit.

“Nuk duhet të varemi as prej zgjedhjeve, do të ketë nuk do të ketë, do të shtyhen nuk do të shtyhen, do të ketë sëmundje apo nuk do të ketë sëmundje, ne prioritet e kemi për ta hapur objektin dhe për të pasur repertor të rregullt” pat thënë ushtruesi i detyrës së drejtori, Ylber Murtezi më 01 mars 2020.

E sot po thotë se leja për hapjen e Teatrit po zvarritet për shkak të situatës me Pandeminë e Covid-19.

 “Është një farë komisioni në Ministrinë e Transportit dhe lidhjeve që përbëhet prej 5 anëtarëve dhe një anëtar duhet ta dërgoj M. e Ekonomisë një e Ekologjisë, dhe tani shkaku i pandemisë, meqë i mbron edhe ligji që të mos shkojnë në punë, që ta bëjnë edhe atë pranimin teknik në objektin tonë. Por edhe nëse nuk e marrim unë jam gjithmonë njeri i kompromiseve, ne mund t’i mbajmë provat në këtë objekt dhe premierat t’i realizojmë në Teatrin Popullor, të Dramës, në Kumanovë ose në Tetovë. Sidoqoftë ne nuk mund të vazhdojmë me projekte, premiera të mbyllura që sa për sy e faqe t’i arsyetojmë mjetet e Ministrisë së Kulturës” thotë ushtruesi i detyrës Drejtor i Teatrit, Ylber Murtezi.

Nënkryetari i LSDM-së Muhamed Zekiri ndërkaq pati deklaruar se rikonstruimi i Teatrit Shqiptar në Shkup është meritë e Qeverisë me në krye kryeministrin Zoran Zaev.

Përndryshe rikonstruimi i Teatrit Shqiptar në Shkup ka nisur në vitin 2013, kur me teatrin udhëhiqte drejtori Adem Karaga. Pjesa ndërtimore përfundoi në tetor të vitit 2019, mirëpo ende nuk ka dritë jeshile për hapjen zyrtare të këtij objekti të rëndësishëm kulturor./TV21