U hapet rruga “Pagesave të menjëhershme”, BPMV do ta nënshkruajë letrën e qëllimit dhe sistemi do të jetë operativ nga viti i ardhshëm

TË FUNDIT

Pas një ngecjeje dhe mosnënshkrimit të memorandumit në Romë, është zhbllokuar procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në sistemin evropian për pagesa të menjëhershme. Guvernatori Trajko Sllaveski njoftoi se do ta nënshkruajë letrën e qëllimit me Bankën e Italisë, e cila është operator i klonit të TIPS-it të Bankës Qendrore Evropiane, me ç’rast ne hyjmë në grupin e vendeve të Ballkanit Perëndimor që po përgatiten që sistemi të jetë operativ nga viti i ardhshëm.

“Me vetë marrjen e funksionit, e kuptova se cila është përparësia e këtij sistemi. I bëmë konsultimet e nevojshme në nivelin më të lartë dhe e njoftuam Bankën e Italisë se ne jemi plotësisht të gatshëm të hyjmë në atë proces. Ja, për informimin tuaj, gjatë takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore, të cilat fillojnë më 15 të muajit të ardhshëm, tetor, më 15 tetor, sipas orës amerikane në Uashington, në orën 11, unë si guvernator i Bankës Popullore do ta nënshkruaj letrën e qëllimeve”, theksoi Trajko Sllaveski, guvernator i BPMV-së.

Kjo pagesë e menjëhershme, e cila paraqet fazën e fundit të anëtarësimit në SEPA, është jashtëzakonisht e rëndësishme për qytetarët dhe për firmat në vend. Kjo do të thotë se gjatë gjithë 24 orëve dhe shtatë ditë në javë, qytetarët dhe firmat do të mund të transferojnë elektronikisht para nga llogaria e tyre në llogaritë e personave të tjerë fizikë dhe juridikë, në kohë reale dhe pavarësisht në cilën bankë janë llogaritë ose në cilin shtet nga Ballkani Perëndimor ose BE. Transferet e parave do të ishin me shpenzime minimale. Thjesht, bëhemi pjesë e sistemit të pagesave elektronike të Bashkimit Evropian.

ÇFARË DO TË THOTË TIPS – PAGESË E MENJËHERSHME?

* shlyerje 24/7

* Pagesë në disa sekonda

* Nuk ka mbyllje të sistemit të pagesave në orën 14-15

* Transfere pagesash vendore dhe ndërkufitare sipas rregullave të BE-së

* Serbia ka sistem të vetin dhe nuk është në këtë proces

* Vendet e tjera nga Ballkani Perëndimor do të anëtarësohen

 “Ky është edhe një hap tjetër drejt integrimit në sistemet e pagesave të Bashkimit Evropian që do të jetë në dobi për qytetarët maqedonas dhe për ndërmarrjet maqedonase”, u shpreh Trajko Sllaveski, guvernator i BPMV-së.

Vlerësohet se për shkak të uljes së madhe të shpenzimeve për këto transaksione bankare dhe të shpejtësisë dhe vëllimit të tyre, kursimet e firmave dhe të qytetarëve që jetojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor, në nivel vjetor do të ishin qindra milionë euro.