Sot në Shkup u mbajt Forumi Edukativ i organizuar nga Universiteti “American College” Shkup (UACS), nën moton “Arsimi për të ardhmen”. Forumi u organizua me rastin e 20-vjetorit të themelimit të UACS-it dhe përfaqëson një ngjarje të rëndësishme ku profesorë dhe studiues ndërkombëtarë dhe vendorë, ekspertë, hartues të politikave, partnerë dhe studentë diskutojnë për sfidat dhe mundësitë kyçe të arsimit bashkëkohor dhe atij të së ardhmes. Ngjarja e riafirmon rolin e UACS-it si lider në arsimin e lartë privat në vend dhe si institucion që prej dy dekadash e bashkon qasjen amerikane ndaj arsimit modern dhe dinamik me cilësinë akademike evropiane.

Forumin e hapi rektorja e UACS-it, prof. dr. Venera Krliu, e cila në fjalën e saj solemne theksoi rëndësinë e përvjetorit dhe rolin e arsimit si motor i zhvillimit shoqëror, si dhe rolin e universiteteve në formimin e gjeneratave të ardhshme të liderëve:
“Gjatë dy dekadave të fundit, UACS është pozicionuar si lider në arsimin e lartë privat në vend. Qasja jonë, e bazuar në metodologji inovative, ndërkombëtarizim dhe fokus te zhvillimi i studentëve, u ka mundësuar mijëra të rinjve të bëhen liderë në biznes, diplomaci, sektorin publik, teknologji dhe shoqërinë civile.”, tha rektorja Krliu.
Duke folur për planet e ardhshme të UACS-it, ajo shtoi:
“E ardhmja kërkon arsim ndërdisiplinar, të ndërkombëtarizuar, të digjitalizuar, fleksibël, por njëkohësisht të orientuar drejt njerëzve dhe nevojave të tyre. Universitetet duhet të vendosin themelet për mësim dhe zhvillim të vazhdueshëm, t’i mësojnë studentët të mendojnë kritikisht, të bashkëpunojnë dhe të inovojnë në një botë që ndryshon vazhdimisht. Në këtë drejtim, UACS do të vazhdojë të investojë në metoda bashkëkohore të mësimdhënies, transformim digjital, inovacione dhe zhvillim të aftësive të nevojshme për biznesin, sektorin publik dhe shoqërinë në tërësi. Ne mbetemi të hapur për bashkëpunim me institucionet dhe partnerët, sepse besojmë se të rinjtë e arsimuar dhe të përgatitur janë themeli i zhvillimit të vendit.”

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi, i cili theksoi rëndësinë e arsimit të lartë për zhvillimin kombëtar, kohezionin shoqëror dhe përgatitjen e të rinjve për sfidat globale moderne:
“Arsimi i lartë është kapitali më i rëndësishëm i një shteti, sepse të gjitha fushat e jetës publike varen nga cilësia e tij. Arsimi i së nesërmes na vendos përballë sfidave të reja të digjitalizimit, por edhe të kreativitetit dhe bashkëpunimit që kërkojnë lidership të përgjegjshëm. Universitetet duhet të përgatisin qytetarë që udhëheqin ndryshimet, e jo vetëm t’i ndjekin ato. Në këtë mision, komuniteti akademik është faktor kyç për zhvillimin ekonomik, inovacionet dhe integrimin evropian.”, tha kryetari Gashi.

Duke u ndalur te arritjet e UACS-it si lider në arsimin e lartë, ai shtoi:
“Gjatë dy dekadave të fundit, UACS ishte pionier në zbatimin e standardeve ndërkombëtare të cilësisë në arsimin e lartë, duke ndërtuar ura të qëndrueshme mes qasjes amerikane dhe asaj evropiane. Kjo ka mundësuar një filozofi të avancuar të të nxënit që bazohet jo në sasi, por në cilësi, mendim kritik, kreativitet dhe integritet. UACS mbetet shembull i vizionit, partneritetit dhe vlerave që duhet të kultivohen edhe në 20 vitet e ardhshme.”
Forumi do të fokusohet në diskutime rreth mënyrës se si do të evoluojë arsimi në dekadat e ardhshme dhe si ai duhet të transformohet në funksion të ndryshimeve teknologjike dhe shoqërore, me theks te digjitalizimi, mendimi kritik, kreativiteti dhe fleksibiliteti. Po ashtu, do të diskutohet roli i inteligjencës artificiale, si dhe aftësitë dhe njohuritë që do t’u nevojiten më së shumti të rinjve, si dhe mënyrat se si akademia, biznesi dhe institucionet mund të bashkëpunojnë për të nxitur zhvillim shoqëror.

Me këtë Forum, UACS e thekson sërish drejtimin e tij strategjik: investimin në inovacione, kompetenca digjitale, zhvillimin e mendimit kritik, ndërkombëtarizimin dhe partneritete që e forcojnë rolin e UACS-it si qendër ku krijohen dije, politika dhe praktika që ndikojnë pozitivisht në shoqëri. UACS vazhdon të ndërtojë pozitën e tij si bërthama ku lidhen akademia, biznesi dhe institucionet – duke krijuar arsim të përshtatshëm për të ardhmen.
