Rrjeti social Tuiter i është bashkuar luftës kundër dezinformatave në lidhje me vaksinimin kundër koronavirusit dhe nga sot do të fillojë me fshirjen e dezinformatave më të dëmshme në lidhje me vaksinimin dhe vaksinën, ndërsa publikoi se tuitet që përmbajnë informacione jo të besueshme të shënohen ve[mas.
Tuiter kumtoi se rregullat e reja vendosen “pasi që në fazën e pandemisë globale, dezinformimi për vaksinat paraqet një kërcënim të rëndësishëm dhe në rritje për shëndetin publik”.
“Ne jemi të përqendruar në neutralizimin e informatave të gabuara që mund të shkaktojnë dëm serioz në shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve. Tuiter luan një rol të rëndësishëm si vend, ku njerëzit me vullnet të mirë, bisedojnë dhe diskutojnë çështje kryesore shëndetësore”, theksohet në kumtesën e Tuiterit.
Me rregullat e fundit në luftën kundër dezinformimit, Tuiteri po e ndjek shembullin e platformave të tilla si Fejsbuk dhe Jutjub, të cilat tashmë kanë marrë vendime të ngjashme.
Edhe tuiter deri më tani ka mundur të kërkojë nga përdoruesit t’i heqin përmbajtjet me informacione të rreme ose mashtruese në lidhje me pandeminë Kovid-19, nëse kjo ka të bëjë me natyrën e virusit, mënyrën e përhapjes së tij, efektivitetin e masave parandaluese dhe trajtimin, si dhe masat zyrtare dhe kufizimet.
Tani, një politikë e tillë do të zgjerohet në dezinformim në lidhje me vaksinat dhe vaksinimin.
Kjo, sipas Tuiterit, i referohet pretendimeve se qëllimi i vaksinimit është të dëmtojë ose kontrollojë njerëzit, deklarata në lidhje me vaksinat që përfshijnë teori konspirative, zyrtarisht i hedh poshtë pretendimet në lidhje me efektet anësore të vaksinimit, si dhe pretendimet se virusi nuk ekziston ose është e parrezikshëm dhe prandaj vaksina është e panevojshme.
Përveç kësaj, nga viti 2021, Tuiter do të vendosë shenjë paralajmëruese pranë tuiteve në të cilat përhapen thashetheme të pabazuara dhe pretendime të diskutueshme në lidhje me vaksinimin ose transmetohen informacione të pjesshme ose jashtë kontekstit. Një paralajmërim i tillë, gjithashtu, do të ketë lidhje me një link me informacionet shëndetësore kompetente dhe politikën e Tuiterit.
