Pas paralajmërimit se në llogari të Fondit Shëndetësor do të kryhen operacione falas për ndryshimin e gjinisë, vijoi një sërë reagimesh nga shumë politikanë. Disa ishin me shumë stereotipa, kurse disa të tjerë konsiderojnë se ka shumë prioritete të tjera në shëndetësi që bien në barrë të Fondit.
“Kjo është skandaloze. Kjo është totalisht e papranueshme. Do të bëjmë ç’mos që kjo mos të ndodhë. Sepse gjininë e ka caktuar natyra. E ka caktuar Zoti. Nuk mund ta ndërrojë as njeriu, as Qeveria, e aq më pak me paratë e qytetarëve”, theksoi Syrja Rashidi, deputet i Aleancës për Shqiptarët.
“Çdo qytetar duhet ta përzgjedhë jetën që dëshiron ta jetojë. Kjo është vullneti i tij i lirë. Por, është çështje tjetër nëse prioritet i shtetit është të financojë operacione private. Mendoj se aktualisht kemi prioritete të tjera”, tha Liljana Popovska nga RDM.
“Si grup parlamentar i BDI-së jemi kundër që me paratë e qytetarëve të bëhet kjo çështje”, u shpreh Ejup Alimi nga BDI.
“Nuk kam dijeni. Mbrëmë deri në mesnatë isha në seancë. Nuk jam në rrjedha”, potencoi Ferid Muhiq, deputet i pavarur.
“Qeveria ka prioritete shumë më të mëdha për të zgjidhur, sesa t’i japë prioritet një çështjeje të tillë”, tha Dragan Danev nga VMRO-DPMNE.
Reagime pati edhe në rrjetet sociale.
“Sjellja e papërgjegjshme e despotit nuk ka fund. Kur qytetarët qajnë për shkak të shëndetësisë jocilësore, ku çmimi jorrallëherë është jeta njerëzore dhe pushteti nuk ka zgjidhje, tani po paralajmërohet ndryshim gjinie në llogari shtetërore. Ndryshimi i gjinisë është e drejtë zgjedhjeje, kurse kurimi i sëmundjes është domosdoshmëri. E drejta për jetë është më e madhe dhe më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Ndryshim gjinie – jo me paratë e qytetarëve”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Kritika arritën edhe nga kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
“Bëj me jetën tuaj çka të duash, dëshiro dhe ndryshoje gjininë, është vendim personal, por jo në llogari të shtetit, e aq më pak në llogarinë time! Të kuptohemi, nuk jam kundër lirive dhe të drejtave personale, grupeve të margjinalizuara etj. Unë i respektoj të gjithë, por kjo tashmë është ofenduese. Në demokraci përfaqësuese, ligji dhe vullneti i shumicës (QYTETARËVE), jo dëshira personale e individëve”.
Njerëzit transgjinorë u gëzuan por vetëm për disa çaste. Ata vetë do të duhet të paguajnë nëse duan ta ndryshojnë gjininë e tyre.
Përgatiti: Arbana Q.Klimenta
