“TV21 nga burimet e veta erdhi deri te disa dokumente të cilat vërtetojnë problemin me nxjerrjen e letërnjoftimeve të dyshimta”, u njoftua para 5 vjetësh në edicionin qendror të lajmeve
Ajo që për VMRO-DPMNE sot është skandal, për TV21 ishte para 5 vjetëve. Për numrat e dyfishë amë, televizioni ynë informoi qysh në maj të vitit 2016. Aso kohe, ishim kontaktuar edhe nga Prokuroria, por hetim dhe epilog përfundimtar nuk kishte. Pesë vjet më vonë, VMRO-DPMNE-ja doli me lajm se 20.000 qytetarë të Maqedonisë kanë numra të dyfishtë amë. Këtë problem e quajtën “Mafia 2”, si vazhdim i skandalit me pasaportat për narko-bosët nga Ballkani në rastin që e emërtuan “Mafia”.
Por, MPB-ja për shumë vite me radhë po ballafaqohet me problemin me numrat e dyfishtë amë, kur këtë dikaster e drejtonte edhe Gordana Jankullovska, Mitko Çavkovi dhe Agim Nuhiu.
“I pari, Lupço F. i lindur më 09.07 dhe ky është letërnjoftimi i tij origjinal, kurse i dyti Lubomir F, i lindur më 07.09 dhe ky është letërnjoftimi i dyfishtë i po të njëjtit njeriu nga këto fotografi. Ky është vetëm një rast me letërnjoftime të dyfishta deri te të cilat erdhi TV21”, u njoftua në edicionet e lajmeve.
Kur TV21 e publikoi këtë storie, ministra ishin Oliver Andonov, i cili e ushtronte detyrën vetëm një ditë, dhe Agim Nuhiu. Paraprakisht, ministra ishin Mitko Çavkovi dhe Gordana Jankulloska.
5 vjet pas lajmit tonë, lideri i opozitës Hristijan Mickoski, brifoi se së paku 20 mijë njerëz në Maqedoni të Veriut kanë numra të dyfishtë amë, duke shtuar se bëhet fjalë për skandal të ri të quajtur “Mafia 2”, që ka të bëjë me keqpërdorim të institucioneve. Por, ministri i brendshëm Oliver Spasovski në “Klik Plus” pohoi se numri është më i ulët se numri i Mickoskit. Sipas Spasovskit vetëm në Shkup ka 660 numra të dyfishtë amë, prej tyre edhe 80 janë në procedurë për anulim.
“Kur kemi filluar me këtë procedurë, vetëm në repartin e punëve administrative në Shkup, janë evidentuar 660 numra të dyfishtë amë, prej tyre janë anuluar 580, për 80 procedura është në proces të përsipër. Ekziston evidentim amë për ata që janë lindur në Shkup, në librin e tillë amë janë 213 persona, ndërsa në zyrat e tjera amë kemi diku rreth 80 qytetarë, persona që kanë numra të dyfishtë amë”, deklaroi Spasovski.
Në fakt, ata numrat e dyfishtë amë dorëzohen deri te Drejtoria e librave amë të peronave të lindur që të konfirmohet se një person ka dy numra amë, pastaj hapet procedurë për anulim. Sipas MPB-së ky problem daton që nga viti 1981.
