TV21 me detaje për marrëveshjen me Britaninë e Madhe! Nuk ka parapagesë, ndërsa borxhi publik nuk do të rritet?!

TË FUNDIT

Në 10 vitet e ardhshme qeveritë e Maqedonisë do të mund të tërheqin 6 miliardë eurot nga marrëveshja Qeveri-Qeveri me Britaninë e Madhe. Kjo do të thotë se edhe në vitin 2035, nëse ekziston projekt, do të mund të tërhiqen pjesë nga 6 miliardë eurot që nuk janë shfrytëzuar. Ky afat mund të zgjatet.

Aktualisht ka paralajmërime për disa projekte në vlerë prej 2.2 miliardë euro, dhe ato janë hekurudha e shpejtë Gjevgjeli-Tabanoc dhe spitali në Shtip, Kërçovë dhe Tetovë. Marrëveshja për hekurudhën pritet të nënshkruhet këtë verë, por kjo nuk do të thotë që prej asaj kohe do të fillojnë të vijojnë afatet e kredisë. Ja çfarë parashikohet me marrëveshjen që të martën do të shqyrtohet nga deputetët në Kuvend.

Që të merret projekti, kompanitë që do të marrin pjesë në tenderë do të duhet të jenë serioze dhe financiarisht të fuqishme. Ato nuk do të marrin avans për të nisur ndërtimet, por paratë do t’i marrin pas përfundimit të fazave të ndërtimit. Fillimisht ndërtojnë, pastaj paguhen, që do të thotë se vetë do të financojnë në fillim dhe më pas do t’i marrin paratë. Në thelb, Qeveria dëshiron që të arrihet tërheqja sa më e vonshme e këstit të parë, në mënyrë që të mos fillojë të vijojë afati i pagesës. Qëllimi është që huamarrja të mos rëndojë borxhin publik, pra investimet paraprakisht të rrisin BPV-në, e pastaj të merret huaja. Me këtë, rritja e BPV-së do të duhej të ndjekë rritjen e borxhit, duke sjellë rritje minimale të borxhit publik.

Qëllimi është gjithashtu të mos përsëritet rasti “Bechtel & Enka”, ku vetëm përgatitjet për projektin kushtuan 260 milionë euro që u transferuan nga buxheti tek konsorciumi.

Çdo projekt do të ketë periudhë grejs pesëvjeçare, e cila fillon të rrjedhë pasi të tërhiqet kësti i parë. Gjatë kësaj periudhe, sipas informacioneve të TV21, nuk do të llogaritet norma e interesit për kredinë. Ajo do të fillojë të llogaritet pas përfundimit të periudhës grejs. Norma e interesit do të përcaktohet sipas parimit të Euribor-it gjashtëmujor plus një përqindje shtesë të caktuar.
Kjo do të thotë se këstet e kredisë do të paguhen çdo gjashtë muaj. Elementi i ndryshueshëm në normën e interesit është Euribor-i.

Sipas informacioneve, nëse kreditë janë me afat më të shkurtër, norma e interesit do të jetë më e ulët, ndërsa nëse janë me afat më të gjatë, do të jetë më e lartë. Qëllimi është të ketë periudhë më të shkurtër të kreditimit, për të pasur qarkullim më të madh të mjeteve dhe më shumë likuiditet.