Turqi:Luftime të reja,dy të vrarë,dhjetëra të plagosur

TË FUNDIT

Mediet turke kanë raportuar sot për një përleshje të re të armatosur mes forcave turke të sigurisë dhe kryengritësve kurdë dhe është raportuar për së paku dy të vrarë dhe 10 të plagosur.

Së paku dy persona janë vrarë gjatë përleshjes së armatosur mes policisë turke dhe kryengritësve kurdë në juglindje të Turqisë, kanë raportuar mediet turke, në kuadër të shpërthimit më të ri të dhunës në këtë rajon.

Rreth 10 persona tjerë u plagosën gjatë përleshjeve në Silopi, një qytet në provincën Sirnak, në afërsi të kufijve të Turqisë me Irakun dhe Sirinë.

Edhe burimet lokale raportuan për dy të vrarë, por ky lajm nuk është konfirmuar ende nga burimet e sigurisë.

Agjencia e lajmeve, Dogan, raportoi se forcat e sigurisë u përgjigjën, pasi që u sulmuan me armë zjarr kur hynë në një qark të qytetit, për të mbyllur ca hendeqe, të hapura nga dega e rinisë e Partisë Punëtore të Kurdistanit.

Dhuna ka kapluar që nga muaji i kaluar pjesët lindore të Turqisë, pasi që Partia Punëtore e Kurdistanit intensifikoi sulmet kundër forcave turke, ndërsa Ankaraja filloi sulmet ajrore kundër pozicioneve të kryengritësve në veri të Irakut.