Turqia kundërshton ashpër hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem!

TË FUNDIT

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Kosovës për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Turqia këtë hap të Kosovës e quan zhgënjyes duke shtuar se shkelet ligji ndërkombëtar.  

 “Është zhgënjyese që një hap i tillë, që do të përbënte shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, po shyqrtohet nga autoritetet e Kosovës”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë, transmeton TV21.

Nëpërmjet kësaj deklarate nga Ministria e Punëve të Jashtme, Turqia i bën thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapa të tillë pasi që do ta minojnë statusin historik dhe ligjor të Jerusalemi, duke shtuar se në të ardhmen mund ta parandalonin njohjen e Kosovës nga shtetet tjera.

 “I bëjmë thirrje udhëheqësisë së Kosovës që t’i respektojë këto vendime dhe të përmbahet nga hapa të tillë që do ta minonin statusin historik dhe ligjor të Jerusalemit dhe gjithashtu që do të mund ta parandalonin njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera në të ardhmen”, qëndron në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.

Më tej në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Turqisë thuhet: “Turqia është në mesin e shteteve të para që e kanë njohur Kosovën, i ka ofruar përkrahje të madhe dhe për një kohë të gjatë ka bërë përpjekje për njohjen ndërkombëtare të këtij shteti, por neve nuk na duket e drejtë që ky proces të ndërtohet kundër ligjit ndërkombëtar dhe veçanërisht mbi vuajtjet e popullit palestinez, tokat e të cilit janë nën okupim”.