Ushtria turke ka bombarduar pozicionet e luftëtarëve të Partisë Punëtore të Kurdistanit, duke reaguar ndaj sulmit të kryengritësve kurdë, si pasojë e të cilit u vranë 16 ushtarë turqë.
Aeroplanët luftarakë bombarduan 13 pozicione të kryengritësve, ndërsa operacioni ushtarak është duke vazhduar, përkundër kushteve të këqija atmosferike, kanë njoftuar burime nga radhët e forcave të sigurisë.
Përleshjet më të reja paraqesin kulminacionin e serisë së sulmeve që nga korriku, pas suspendimit të armëpushimit mes dy palëve. Që nga ajo kohë kanë humbur jetën rreth 70 pjesëtarë të forcave turke të sigurisë dhe me qindra kryengritës kurdë.
Partia Punëtore e Kurdistanit mori përsipër përgjegjësinë për vrasjen e 16 ushtarëve turqë, gjatë sulmit të ndërmarrë në rajonin Daglika, në afërsi të kufirit me Irakun, e që njëkohësisht ishte sulmi më i përgjakshëm që nga korriku.
Partia Punëtore e Kurdistanit, e cila vlerësohet si organizatë terroriste në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka tashmë disa dekada që po kryeson kryengritjen kundër Qeverisë së Turqisë, si pasojë e të cilit konflikt deri me tani janë vrarë mbi 40 mijë njerëz./21Media
